Çmimi i bukës, Konkurrenca nis hetimin ndaj spekulatorëve
Ervin KOÇI
Abuzimet me cilësinë, peshën dhe çmimin e bukës, kanë vënë së fundi në lëvizje Autoritetin e Konkurrencës i cili ka nisur një hetim të thelluar mbi këtë treg. Sipas informacioneve të AK-së, edhe ky treg në vend është kapur nga skemat monopoliste, të cilat janë më të theksuara te tregtuesit me shumicë dhe te importuesit e miellit. Janë pikërisht abuzimet që nisin që me lëndën e parë të bukës që ndikojnë në shtrenjtimin e artikullit bazë të tryezës së shqiptarëve. Lidhur me këtë çështje shumë delikate, shefja e Autoritetit të Konkurrencës paralajmëron bizneset që të mos rrisin çmimet në mënyrë abuzive. Duke iu referuar rastit të Shoqatës së Bukës në qytetin e Korçës, Lindita Lati deklaroi dje se, do të penalizohen të gjithë shkelësit e ligjit. "Komisioni i Konkurrencës në mbrojtje të ligjit për konkurrencën vendosi mbylljen e procedurës së hetimit paraprak, pranimin e angazhimeve të palëve për rivendosjen e konkurrencës, si dhe monitorimin në vazhdimësi të këtij tregu. Duke marr shkas nga kjo ngjarje, Komisioni i Konkurrencës, në zbatim të politikës dhe ligjit për mbrojtjen e konkurrencës kërkon të ndërgjegjësojë të gjitha shoqatat e biznesit, që në veprimtarinë e tyre të mbrojnë interesat e tyre sipas ligjit dhe të mos ndikojnë në aplikimin e praktikave të bashkërenduara apo të koordinuara për rritjen e menjëhershme të çmimeve, për fiksimin e tyre apo për ndarjen e tregjeve",- deklaroi Drejtorja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati.
Hetimi
AK-ja, bazuar në informacionin e marr nga media e përditshme mbi rritjen e çmimit të bukës të njoftuar në emër të shoqatës së prodhuesve të bukës të Qarkut të Korçës, vendosi për hapjen e hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit të bukës në Qarkun e Korçës, për të vërtetuar ekzistencën ose jo, të një marrëveshje të ndaluar në kuptim të Ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”. Në vazhdim të procedurave inspektorët e autoritetit realizuan inspektime të menjëhershme në terren. Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës organizoi një seancë me prodhuesit kryesorë të bukës në këtë Qark. Organizimi i seancës u bë me qëllim identifikimin e faktorëve që ndikojnë në nivelin e konkurrencës në tregun përkatës objekt hetimi. Nga inspektimet dhe sipas deklarimeve të prodhuesve të bukës masive, që morrën pjesë në seancë, u konstatua se nuk ekziston një shoqatë vetëm për bukëpjekësit, por ka një shoqate për Bizneset e Vogla. Gjithashtu, çmimi i këtij produkti në raport me peshën është më i ulet i krahasuar me rrethet e tjera të Shqipërisë.
Vendimi
Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, Komisoni i Konkurrencës, në zbatim të Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” kërkon të ndërgjegjësojë të gjitha shoqatat e biznesit që në veprimtarinë e tyre të mbrojnë interesat e anëtarëve sipas ligjit dhe të mos ndikojnë në vendosjen e praktikave të bashkërenduara, të koordinuara, për rritje të menjëhershme të çmimeve, fiksim çmimesh apo ndarje tregu. Sipas ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” marrëveshjet e ndaluara janë shkelja më e rëndë dhe sjellja më antikonkurruese dhe mund të ndëshkohen nga Komisioni i Konkurrencës me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore. Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, në mbështetje të nenit 24, shkronja d) dhe 45 paragrafi 2, të Ligjit Nr .9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, vendosi mbylljen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit të bukës në Qarkun e Korçës, si dhe pranimin e angazhimeve të palëve për rivendosjen e konkurrencës në treg. Për të siguruar respektimin e angazhimeve të palëve AK-ja do të monitorojë në vazhdim tregun e bukës në Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve në këtë qark.
Konkurrenca e pandershme, si te denonconi rastet e abuzimeve
Autoriteti i Konkurrencës duke ndjekur shembullin e shumë institucioneve të tjera shtetërore që kërkojnë të krijojnë një bashkëpunim periodik edhe me qytetarët, u bën apel këtyre të fundit që të denoncojnë çdo rast abuzimi dhe shkeljeje të konstatuar prej tyre. Për çdo ankesë, kërkesë për informacion apo kërkesë për bashkëpunim në zbulimin e ndonjë shkeljeje të ligjit të konkurrencës, AK-ja fton qytetarët dhe subjektet e ndryshme që të vizititojnë faqen e internetit “www.caa.gov.al”, dërgoni e-mail në adresën “competition@caa.gov.al”, ose të dërgoni fakse ose të bëni telefonata në numrat: fax: +355 4 2234497, tel +355 4 2234504. Por qytetarët ose subjektet kanë mundësinë që të paraqiten edhe personalisht pranë zyrave të Autoritetit të Konkurrencës në adresën “Rr. Sami Frashëri, nr.4, Kati IV, Tiranë”.
Shkurt////////////////////////////////////////////
Shteti merr në administrim 3.6 milionë euro prona të bandave kriminale
Ministria e Financave ka marrë në administrim me anë të sektorit të posaçëm, 3.6 milionë euro pasuri të organizatave kriminale të cilat janë bllokuar me urdhra të gjykatës. Sipas burimeve zyrtare të MF-së, bëhet e ditur se nga data 20 janar 2010 deri në 20 qershor 2010, në disa vendime konfiskimi radhazi, gjykatat kanë bllokuar pasuritë e anëtarëve të pesë grupeve kriminale, duke u marrë atyre pasuritë me vlerë totale 3.6 milionë lekë. Pronat, nën kujdesin e Prokurorisë, janë lënë në administrimin e Agjencisë së Posaçme të Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe Konfiskuara. Pjesa dërrmuese e këtyre pasurive, siç bëhet e ditur janë llogari bankare të cilat janë gjetur dhe konfiskuar në bankat e nivelit të dytë. Sipas MF-së, në rrethin e pasurive të sekuestruara bëjnë pjesë struktura biznesi por edhe troje ose toka në bregdet, të cilat ishin blerë nga anëtarët e bandave kriminale me të ardhurat e siguruara prej tyre gjatë aktivitetit të paligjshëm. Më 25 janar 2010, hyri në fuqi ligji “Antimafia” i cili parashikon sekuestrimin e pasurive të personave që kanë të ardhura nga burime kriminale financimi.
30 Qershor 2010