Rritja e pagave qeveria nuk ka para

Qeveria ka deklaruar se kjo arrihet me shkurtimin e shpenzimeve në mallra dhe shërbime dhe luftimin e ekonomisë joformale.
Por për ekspertët kjo është e pamundur dhe e detyron qeverinë të shesë asetet publike për të mbuluar shpenzimet në paga.
“Me këto kapacitete që ka dogana unë dyshoj se do të bëhet një realizim i 100 milionë eurove shtesë në vitin 2011, nuk është çudi që ne nga nxitimi do të duhet t’i shesim të gjitha asetet nacionale për të mbuluar borxhet meqenëse kemi hyrë në marrëdhënie kontraktuale për autostradën që merr një pjesë të madhe të buxhetit. Kemi detyrime për investimet kapitale domethënë ne po bëjmë shpenzime dhe po krijojmë borxhe, në anën tjetër nuk po bëhet punë e madhe për t’i kthyer të hyrat”, shprehet Lumir Abdixhiku, drejtor i institutit Riinvest.
Një analizë ekonomike për këtë çështje vjen edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo parti e vlerëson vendimin të paligjshëm, pjesë të fushatës zgjedhore dhe në bazë të ligjit për financat publike ky vendim është në fuqi vetëm për muajin janar.
“Unë mendoj se vendimi është i plotfuqishëm vetëm për muajin janar. Gjatë këtij muaji qeveria ka të drejtë t’i shfrytëzoje 95 milionë euro të buxhetit 2011 dhe nëse nuk krijohen institucionet në shkurt, atëherë duhet një vendim tjetër vetëm për muajin shkurt. Të gjithë ata që preken nga ky vendim duhet ta kenë të qartë se nuk është rritje për vitin 2011, por vetëm për muajin janar”, tha Avdullah Hoti, anëtar i Kryesisë së LDK-së.
Ekspertët e ekonomisë parashikojnë ndërhyrjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar në momentin që do të krijohet qeveria e re.
Kjo për shkak se nga marrëveshja e vitit të kaluar ku premtohen 109 milionë euro, FMN-ja ka kërkuar stabilitet financiar dhe ka lejuar rritjen e pagave vetëm deri në 7 apo 8 përqind.