Serbia shtrin duart tek energjia e Malit të Zi
Korporata Elektroenergjetike e Serbisë EPS njoftoi dje se synon të blejë 18 për qind të aksioneve të kompanisë simotër të Malit të Zi, kryesisht për shkak të perspektivës për ndërtimin e një linje interkonjeksioni Mali i Zi - Itali, njoftoi dje "Balkan Insight". Drejtori i EPS, Dragomir Markovic, tha se rëndësia e blerjes nuk qëndron vetëm te paketa e aksioneve, por edhe te fakti se blerësi do të mund të menaxhojë sistemin energjetik të vendit më të vogël të Ballkanit. Serbia është e interesuar edhe për shfrytëzimin e burimeve ujore të Malit të Zi, veçanërisht lumit Drino. Operatori italian i transmetimit TERNA, ka shpallur dëshirën për të pasur një lidhje interkonjeksioni me Malin e Zi dhe Serbia, e cila zotëron një monopol virtual mbi linjat e interkonjeksionit në Ballkan, synon të ruajë pozicionin e vet përmes blerjes së kompanisë malazeze të energjisë elektrike.