E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rritja e qëndrueshme e ekonomisë, është meritë e qeverisë shqiptare”

14-09-2011 / Gazeta 55

Jane Armitage, Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore

Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, Jane Armitage vlerësoi reformat e qeverisë shqiptare si faktor të rëndësishëm në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare dhe uljen e nivelit të varfërisë në vend.
Gjatë një konference për shtyp dje në Tiranë, Armitage tha se, “Korrupsioni në Shqipëri ka pësuar gjithmonë e më shumë rënie dhe ligji i prokurimeve ka qenë konform standardeve evropiane”.
Duke u ndalur në një panoramë të shkurtër mbi zhvillimet ekonomike në vend, Armitage vuri në dukje se, “Shqipëria ka rritur eksportet, nivelin e investimeve dhe borxhi në sektorin publik, është plotësisht nën kontroll nga qeveria”.
Armitage, vlerësoi më tej rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Sipas saj, “Shqipëria ka një rritje ekonomike të qëndrueshme”.
Ndërsa mbetet me rëndësi sipas saj, çështja e numërimit elektronik.
“Shqipëria ka rritur eksportet dhe nivelin e investimeve. Falë rritjes ekonomike, ajo ka ulur edhe nivelin e varfërisë. Dhe kjo rritje ekonomike, ka ardhur falë politikave të ndjekura nga qeveria shqiptare”, shtoi përfaqësuesja e lartë e Bankës Botërore.
Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, Jane Armitage vlerësoi gjithashtu edhe ligjin e prokurimeve, i cili sipas saj,  është shumë i mirë, por më e rëndësishme është zbatimi i tij.
“Bizneset thonë se transparenca në prokurime është rritur, por disa prej tyre ngrenë shqetësimin se në fusha të caktuara ai nuk po zbatohet plotësisht”, tha Armitage
Ajo kërkoi përshpejtim të hapave për zgjidhjen e çështjes së pronës, duke theksuar se ky është një problem kompleks për Shqipërinë. Sipas saj, Shqipëria duhet të përshpejtojë hapa për çështjen e pronave, sepse ky problem është shkaktuar nga migrimi i brendshëm, sidomos nga kalimi i popullsisë nga fshati drejt qytetit.
“Ky është një problem kompleks”, u shpreh ajo.
“Qeverisjet në Shqipëri kanë bërë përpjekje për të rregulluar këtë problem edhe përmes ndihmës që kanë marrë nga Banka Botërore, që i jepet mundësi njerëzve të regjistrojnë pronat e tyre”, tha drejtoresha e Bankës Botërore duke konfirmuar mbështetjen e BB me projektet e saj që kanë lidhje me administrimin e tokës.
Ajo preku edhe çështjen e pensioneve, duke vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria në këtë sektor.
Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore Jane Armitage po viziton Shqipërinë nga data 8 deri në 14 shtator. Qëllimi kryesor i kësaj vizite do të jetë të vlerësojë progresin e programit të Bankës Botërore në Shqipëri, si dhe pjesëmarrja e saj në konferencën “Drejt një qeverisjeje më të mirë”, punimet e së cilës u çelën dje në Tiranë.
Gjatë vizitës së saj Jane Armitage zhvilloi takime me kryeministrin Sali Berisha, anëtarë të kabinetit qeveritar, kreun e opozitës Edi Rama, dhe përfaqësuesin e zyrës së Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ajo po inspekton gjithashtu edhe disa projekte të financuara nga Banka Botërore që po zbatohen në vendin tonë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›