Rritja e rrogave, Qeveria: Nuk është bërë me borxhe

Kryeministri Berisha ka firmosur sot vendimin e Qeverisë të mbledhjes së datës 16 gusht për rritjen e rrogave të punonjësve të administratës. Në një konferencë për shtyp zëdhënësja e Kryeministrisë, Erla Mëhilli, teksa prezantoi skemën e rritjes së rrogave nga 2005 e deri më sot, theksoi se Qeveria nuk ka marrë asnjë qindarkë borxh për rritje rrogash që nga 2006. Në këtë kontekst ajo shtoi se rritja e tyre ka ardhur në sajë të të ardhurave të mira fiskale dhe performancës së mirë së Administratës shtetërore.
“Sot Kryeministri Berisha firmosi vendimin e Qeverisë të Mbledhjes së datës 16 Gusht për rritjen e rrogave të punonjësve të administratës.Me këtë rritje realizohet pikë për pikë premtimi i Qeverisë për pagat dhe pensionet.Konkretisht, mbi bazën e kësaj rritje, paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm, që në vitin 2005 ka qenë 26831 lekë (njëzet e gjashtë mijë e tetëqind e tridhjetë e një lekë), në vitin 2012 bëhet 59235 lekë, pra ka një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005.Paga mesatare e arsimtarit në arsimin 9 vjeçar, që në vitin 2005 ka qenë 22771 lekë, në vitin 2012 bëhet 50563 lekë, me një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005.Paga mesatare e mjekut, që në vitin 2005 ka qenë 22683 lekë, në vitin 2012 bëhet 58098 lekë, me një rritje prej rreth 2.6 herë krahasuar me vitin 2005.
Paga mesatare e infermierit, që në vitin 2005 ka qenë 15044 lekë, në vitin 2012 bëhet 35618 lekë, një rritje prej rreth 2.4 herë krahasuar me vitin 2005.Paga mesatare e punonjësve të policisë, që në vitin 2005 ka qenë 30655 lekë, në vitin 2012 bëhet 55944 lekë, pra ka një rritje prej rreth 1.8 herë krahasuar me vitin 2005.Paga mesatare e punonjëseve mbështetës në institucionet buxhetore, që në vitin 2005 ka qenë 22554 lekë, në vitin 2012 bëhet 35122 lekë, me një rritje prej rreth 1.6 herë krahasuar me vitin 2005.Ndërsa raporti i pagës së arsimtarit të arsimit 9 vjeçar me pagën e kryeministrit që në vitin 2005 ka qenë 1 me 8.6, në vitin 2012 është vetëm 1 me 4.5.Raporti i pagës së infermierit me pagën e kryeministrit, që në vitin 2005 ka qenë 1 me 13, në vitin 2012 është 1 me 6.4.Dhe raporti i pagës mesatare me pagën e kryeministrit që në vitin 2005 ka qenë 1 me 7.1 në vitin 2012 është 1 me 4.6.Në të gjitha këto raste raporti është pothuajse përgjysmuar” theksoi zëdhënësja e Kryeministrisë.
Në përfundim Mëhilli tha se me këtë rritje Shqipëria bëhet vendi me rritjen më të shpejtë të rrogave dhe pensioneve në Europë.