Lirohet biznesmeni i akuzuar për trafik droge
Gjykata e Lartë ka liruar dje nga burgu biznesmenin Zaim Tafa, i arrestuar gjatë operacionit "Kështjella". Vendimi është dhënë dje në mesditë gjatë vlerësimit të masës së arrestit ndaj tij. Në fund, Kolegji Penal i Gjykatës Supreme në Shqipëri urdhëroi prokurorinë për lirimin e menjëhershëm të Tafës, megjithëse ndalimi i tij është bërë me "bujë", pasi si bashkëpunëtorë ai kishte tre shtetas gjermanë. Burime nga gjykata deklaruan se fletë-arresti ndaj Tafës ishte i paligjshëm, pasi nga verifikimet paraprake të Kolegjit Penal rezultoi se biznesmeni nuk ishte përfshirë në asnjë trafik municioni. Gjykata thotë se Zaim Tafa, në momentin e ndalimit, nuk ka pasur asnjë gramë lëndë narkotike dhe si pasojë nuk mund të arrestohej në flagrancë siç e realizoi prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Në vlerësimin e masës së djeshme të sigurisë, Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar masën e arrestit me burg, siç kishin vendosur dy shkallët e ulëta të gjyqësorit. Ndërsa mbrojtja e kundërshtoi me forcë, duke deklaruar se masa e arrestit në flagrancë nuk mund t‘i atribuohej Tafës, pasi ai nuk ka pasur drogë me vete. Gjithsesi hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të vazhdojnë ndaj tij në gjendje të lirë, megjithëse Gjykata e Lartë e liroi. Me gjithsej 40 kilogramë heroinë, tre shtetas gjermanë dhe dy shqiptarë u arrestuan më datën 2 maj gjatë operacionit "Kështjella", finalizuar në Kakavijë. Krimet e Rënda kryen hetimin e më pas drejtimin e operacionit të suksesshëm, duke vënë në pranga dhe pronarin e lokalit "Kështjella", ndër më të njohurit në rrugën nacionale Fier-Patos, Zaim Tafa, tashmë i liruar. Prokuroria tha se finalizimi i operacionit vinte pas dy muajsh hetime dhe sekuestrimit të sasisë së 40 kilogramëve drogë, ndërsa u prangosën të pestë anëtarët e grupit. Ata janë gjermanët Daniel Englert, Franz Kiacsek, Regina Kiacsek si dhe Albert Pëllumbaj, nga Patosi dhe Zaim Tafa, banues në Fier (tashmë i liruar). Forcat e policisë vepruan në një aksion paralel, në Tiranë, Fier dhe Kakavijë. Mësohet se sasia e heroinës ndodhej në një makinë me targë të huaj, ku ndodheshin çifti Kiacsek, burrë e grua. Në sajë të hetimeve që kishte kryer grupi i punës kishte të dhëna të sakta se do të trafikohej dhe sasia e drogës. Kontrolli në makinën e çiftit gjerman zbuloi se brenda saj ishin fshehur 80 pako me lëndë narkotike, e cila rezultoi e tipit heroinë. Dy gjermanët u prangosën menjëherë. Në Fier, dy personat e vëzhguar u arrestuan me shpejtësi. Zaim Tafa, 45 vjeç, është i njohur në këtë zonë, për shkak të biznesit të tij, lokalit "Kështjella". Bashkë me të u prangos dhe 50-vjeçari Albert Pëllumbaj.