E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikuan 1145 kilogramë hashash, në gjyq katër persona

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbuluar organizatorët e një sasie rekord droge të sekuestruar disa vite më parë në Gjirokastër, ku u bllokuan në një maune 1145 kilogramë hashash. Ngjarja daton në muajin mars të vitit 2005, ku gjatë një operacioni u arrestua një peron. Ai ishte Ethem Danaj i dënuar me shtatë vjet heqje lirie, megjithëse ka pranuar të tregojë "shokët" në trafikun që organizuan së bashku, që sillte qindra mijëra euro përfitime. Pas më shumë se katër vitesh hetime, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arritur të faktojë edhe katër të implikuar në drogën që është kaluar. Ata janë Helidon Xhaferi, Ardi Xhaferi, Hasan Gjinaj dhe Laver Tozaj. Krahas këtyre të pandehurve, prokuroria thotë se ka të tjerë persona të implikuar në këtë rrjet të mirorganizuar të trafikimit të lëndëve narkotike.

Droga rekord
Të dhënat e dokumentuara të prokurorisë kanë vërtetuar se më datë 17 mars 2005, paradite, në pikën e kalimit kufitar me Greqinë, Kakavijë, forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë gjatë kryerjes së krimit shtetasin Ethem Danaj, pasi në mjetin kamion "Volvo" me targa TR 3054 F (kokë tërheqëse) dhe TR 9195 E (rimorkio), për të udhëtuar për në shtetin grek, në rimorkio, u gjet e fshehur sasia prej 1146 kilogramësh lënde që u dyshua si narkotike e që më pas rezultoi e tillë (kanabis sativa). Lënda narkotike ishte fshehur në një "dhomë" të improvizuar posaçërisht për fshehje të lëndës narkotike. Hetimet provojnë se për të realizuar trafikimin e sasisë së lëndës narkotike në shtetin grek kanë bashkëpunuar edhe të pandehurit Ardi Xhaferi, Helidon Xhaferi, Hasan Gjinaj e Laver Tozaj. Sipas akuzës, këta persona, pasi kanë arritur të sigurojnë sasinë e lëndës narkotike, me ndihmën edhe të personave të tjerë të paidentifikuar, kanë realizuar paketimin dhe futjen e saj në çanta dhe në qese të mëdha mbështjellëse. I pandehuri Ardi Xhaferi rezulton se është banor i qytetit të Vlorës dhe në kohën e ndodhjes së ngjarjes ushtronte aktivitet privat në import-eksport mallrash të ndryshme. Në funksion të aktivitetit privat ai dispononte dhe kamionë të tipave të ndryshëm. Edhe personat e tjerë merreshin me aktivitet privat, ndërsa Hasan Gjinaj duke qenë me banim në Greqi, ka rënë në marrëveshje me persona shqiptarë dhe të huaj, duke gjetur treg për shitjen e lëndës narkotike.

Trafiku
Sipas Krimeve të Rënda, për të realizuar trafikimin e lëndës narkotike në Greqi, Hasan Gjinaj ka ardhur në Shqipëri dhe është takuar me Laver Tozajn, Helidon Xhaferrin dhe Ardi Xhaferrin. Në marrëveshje me njëri-tjetrin kanë rënë dakord që trafikimin e lëndës narkotike ta realizonin nëpërmjet Kakavijës me kamion me anë të një personi që bënte shpesh këtë rrugë. Ata kanë kontaktuar me Ethem Danaj, i cili ka rënë dakord për të bërë transportin me kamion të drogës. Ishte rënë dakord që transportin e lëndës narkotike në Greqi, Ethemi të mos e bënte me kamionin e tij, por me një kamion (trajler) që do ta siguronin të pandehurit.
Rezulton se i pandehuri Hasan Gjinaj, i cili njihej me pseudonimin "Babi", ka kaluar në shtetin grek në mënyrë që të priste lëndën narkotike që do të trafikohej. Sipas akuzës, në datën 16 mars 2005, Ethemi ka udhëtuar nga Tirana për në Gjirokastër me kamion. Rrugës është shoqëruar me makina të tjera. Sipas marrëveshjes, rrugës është ndalur në Qafë të Koshovicës ku e ka pritur Laver Tozaj. Në këtë vend është futur lënda narkotike në kamion. Më pas Ethem Danaj ka udhëtuar drejt Kakavijës. Rrugës është shoqëruar nga Ardi Xhaferi, Helidon Xhaferi e Laver Tozaj të cilët mbanin komunikime të vazhdueshme telefonike me Ethemin, duke e siguruar që të mos kishte frikë se do mund të kalonte pa probleme në doganën e Kakavijës. Sipas prokurorisë, në orët e vona të datës 16 mars 2005 dhe në mëngjesin e datës 17, të pandehurit Ardi Xhaferi, Helidon Xhaferi e Laver Tozaj kanë qenë në Gjirokastër. Meqenëse policia arriti të gjejë dhe të sekuestrojë sasinë rekord të lëndës narkotike dhe të arrestojë në flagrancë Ethem Danajn, katër personat e tjerë janë larguar nga Gjirokastra. Në sasinë e lëndës së sekuestruar kanë rezultuar shumë gjurmë duarsh të vlefshme për identifikim, por asnjë prej tyre nuk rezulton se është lënë nga personat nën hetim, fakt që tregon se në paketimin e saj kanë bashkëpunuar dhe persona të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›