Rritja ekonomike do të vijojë, pavarësisht situatës
Rritja ekonomike e Shqipërisë do të vijojë edhe këtë vit, pavarësisht situatës së krijuar së fundmi. Garancinë e ka dhënë Kryeministri, Sali Berisha, në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, i cili tha se, edhe për vitin 2011 do të vazhdojë rritja e përvitshme e pagave dhe pensioneve, nga 5 deri 10 për qind. Pavarësisht nga ngjarjet politike, rritja ekonomike do të vazhdojë, premtoi Kryeministri Sali Berisha. Pasi komentoi protestën e datës 21 Janar, Berisha përsëri theksoi se subvecionimet në bujqësi do të vazhdojnë. “Ne kemi shpallur se viti 2012 do të jetë viti pa të mjerë në Republikën e Shqipërisë. Së shpejti, ne sjellim një ligj të ri në Parlament. Ne kemi krijuar një regjistër të ri dixhital”, tha Kryeministri. Nuk do të kenë më familje shqiptare në mjerim. Të varfër do të ketë, sepse ka në të gjithë botën dhe varfëria ka një shkallë, një vlerësim të përshkallëzuar dhe të ndryshëm, sipas vendit, shtoi ai. Buxheti afatmesëm garanton një transformim cilësor të shërbimit shëndetësor. “Ne jemi të vendosur, që brenda këtij viti të instalojmë mekanizmin e ri financiar në sistemin shëndetësor. Ne kaluam ligjin e Sigurimeve Shëndetësore. Ne, tani, pas protokolleve dhe udhërrëfyesve, do të bëjmë në një kohë rekord kostifikimin për gjithçka dhe çdo gjë që ka të bëjë me shërbimin shëndetësor ndaj qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha gjatë mbledhjes për buxhetin afatmesëm.” Ne, në buxhetin tonë afatmesëm, mbështesim fuqishëm shkollimin e fëmijëve tanë”, tha si, duke shtuar se “ne do të bëjmë gjithçka, që me mekanizimin e ri financiar që do të instalojmë në sistemin e arsimit të lartë të mund të ndjekim dhe mbështesim cilësinë.