E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet me 10 lekë çmimi i bukës, shkak nafta dhe çmimi i miellit

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 24-01-2011 11:19

Durrës- Çmimi i bukës është rritur me 10 lekë të tjera, duke e çuar atë në 90 dhe 100 lekë. Shkak për rritjen e çmimit të bukës ka qenë rritja e çmimit të miellit, si dhe rritja e karburantit. Ditët e fundit, mielli është blerë nga njësitë e prodhimit të bukës me 68 lekë për kilogram me shumicë, ndërkohë që një litër naftë ka shkuar tashmë në 160 lekë. Rritja e çmimit të bukës rëndon tashmë në buxhetin e konsumatorëve, por për rritjen e tij ka edhe arsye të tjera. Burime që vijnë nga firmat prodhuese të bukës, kanë bërë të ditur se shkak i drejtpërdrejtë për rritjen e çmimit kanë qenë pikërisht rritja e çmimit të miellit dhe karburanti, por edhe detyrimet që sa vijnë dhe rriten nga tatimorët dhe strukturat e tjera shtetërore. Tashmë çdo njësi që kryen aktivitetin e prodhimit të bukës duhet të ketë detyrimisht të siguruar tre vetë, njëri që është pronari ose administratori dhe dy punëtorë. Shumë furra të prodhimit të bukës e kanë rritur në dy-tre ditët e fundit çmimin e bukës, ndërsa të tjera kanë njoftuar se do të rritet sot çmimi i bukës. Njoftimet janë bërë me letra të ngjitura në xhamat dhe banakët e furrave, krahas atyre që janë bërë tashmë të detyrueshme nga drejtoria tatimore, për të njoftuar klientët për marrjen e kuponit tatimor. Aktualisht, buka që tregtohet në njësi të ndryshme në qytetin e Durrësit, nuk ka peshë standarde, por më së shumti si bukë masive njihet ajo me peshë 800 gram. Kjo lloj buke, tashmë me çmimin e rritur, shitet 90 lekë, ndërsa buka me peshë 1 kg shitet me 120 lekë. Në rastet e mëparshme të rritjes së çmimit të bukës, drejtoria rajonale tatimore është mjaftuar me kontrolle formale, për të parë nëse furrat kanë bërë rritje të padrejtë të çmimit, kontrolle të cilat më së shumti drejtohen tek ato subjekte që janë të rregullt me detyrimet tatimore dhe ligjet e tjera të shtetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›