Sistemi i ri matës, 23 shoqëri kundër financave
Shoqëritë e tregtimit të gazit të lëngshëm në vendin tonë kanë kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Financave, për instalimin e sistemit të ri matës. 23 shoqëritë që vijnë nga i gjithë vendi janë mbledhur dje në qytetin e Durrësit dhe me anë të një deklarate për mediat kanë kërkuar zhbllokimin e këtij vendimi dhe nisjen e bisedimeve, midis ministrisë dhe grupit të interesit, shoqëritë në fjalë. Vendimi i Ministrisë së Financave është një ndryshim në ligjin ekzistues, që mban datën 5.5.2010, me anë të të cilit detyrohen të gjitha shoqëritë e gazit që të instalojnë sistemin e ri matës (kalimatës) nga ai që përdoret, duke pasur si njësi matëse kilogramin, në një sistem të ri matës me njësi matëse litrin. Ky lloj sistemi nuk është aplikuar në asnjë vend deri tani dhe mendohet se vendi ynë do të jetë i pari që aplikon një praktikë të tillë. Instalimi i këtij sistemi matës, i cili kërkohet në çdo impiant të këtyre shoqërive, shkon në rreth 60 mijë euro, një shumë kjo mjaft e lartë për shoqëritë në fjalë. Në kushte të tilla, organet tatimore kanë kërkuar nga të gjitha shoqëritë e gazit që të bëjnë derdhjen e shumave në fjalë, që janë nxjerrë sipas preventivave të kryera në shoqëritë e mësipërme dhe pas afro dy muajsh, kur këto pajisje të kenë ardhur nga jashtë, specialistët e inspektoratit të kalibrimit dhe peshëmatjes, të bëjnë montimin e tyre. Kjo gjë kundërshtohet nag shoqëritë, të cilat kanë deklaruar se nuk është marrë fare mendimi i tyre. Në emër të shoqërive Arben Keçi ka bërë të ditur se kërkojmë që ministria të ulet në bisedime me ne, pasi në të kundërt pasojat ka për ti vuajtur sërish konsumatori, i cili është duke vuajtur momtalisht një çmim të lartë të gazit me pakicë. Shoqëritë kanë paralajmëruar se në rast se nuk merret parasysh kërkesa e tyre, bredna pesë ditësh do të bëhet mjafte vështirë situata e furnizimit me gaz të lëngshëm, në një kohë kur dimri është në kulmin e tij. Vendimi i Ministrisë së Financave është cilësuar edhe teknikisht i parealizueshëm, për shkak të specifikave që mbart instalimi i tij. Bardhyl Milaqi, administrator i shoqërisë “Royal Gaz sha” shprehet se “sistemi aktual që kam në impiantin tim është i bazuar në bazë të matjes me kilogram dhe kjo gjë është bërë në sajë të një projekti teknologjik të zbatuar nga inxhinierë teknologë. Në këtë mënyrë, projektet tona teknologjike nuk mund të ndryshohen, sepse ne gazin kur e zhdoganojmë dhe bëjmë pagesën e TVSH-së e bëjmë në bazë të sasisë për kilogram”.