E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBKD, pro vendimit për kthimin e eshtrave të Ahmet Zogut

Partia e Ballit Kombëtar Demokrat jep përkrahjen e saj për nismën e qeverisë shqiptare për kthimin në atdhe të eshtrave të Mit‘hat Frashërit, Ahmet Zogut, Fan Nolit dhe Nënë Terezës. Gjatë një konference për shtyp, kryetari i PBKD-së, Artur Roshi, kërkoi që "kjo qeveri dhe qeveritë e tjera në vazhdim të punojnë për kthimin e të gjitha personaliteteve të kombit që prehen jashtë atdheut". Roshi sqaroi se këto figura të shquara të kombit u detyruan të punojnë jashtë Shqipërisë për shkak të politikës së përjashtimit që ndoqi diktatura edhe pse një pjesë e tyre ishin themelues të shtetit shqiptar. "Mit‘hat Frashëri paralajmëroi vazhdimisht dhe me këmbëngulje se e keqja më e madhe e Shqipërisë ishte komunizmi dhe historia i dha të drejtë", tha Roshi. Sipas tij, "me kthimin në atdhe të eshtrave të këtyre personaliteteve, shoqëria jonë hedh një hap tjetër drejt lartësimit shpirtëror të saj". Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur më 9 tetor vendimin e qeverisë për rikthimin në atdhe të eshtrave të Ahmet Zogut. Gjatë një konference për shtyp, Kryeministri njoftoi ngritjen e një komisioni qeveritar shtetëror për rikthimin e eshtrave të Mbretit të parë të shqiptarëve në kohërat moderne. Ai informoi gjithashtu se po bëhen negociata edhe për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës, të njeriut të madh të letrave shqipe, Fan S. Noli dhe burrit të madh të kombit, Mit‘hat Frashëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›