E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java Europiane e Demokracisë, vendorët gati aktivitetet

Në kuadër të aktiviteteve të përvitshme që zhvillon Këshilli i Europës për rritjen dhe konsolidimin e demokracive vendore, njësitë vendore në Qarkun e Beratit do të zhvillojnë një sërë takimesh, seminaresh dhe simpoziume gjatë Javës Europiane të Demokracisë Vendore. Ka qenë Ministria e Brendshme që ka kërkuar prej disa ditësh bashkëpunimin e kryetarëve të bashkive dhe komunave në këtë qark, nga ku mësohet se ka gjetur mbështetje të plotë për kremtimin e Javës Europiane (12-17 tetor). Shqipëria si një vend anëtar i Këshillit të Europës në kuadër të kësaj jave mësohet se do të jetë pjesë e vendeve që do të organizojnë aktivitete për rritjen dhe zhvillimin e demokracive lokale. Programi disaditor do t‘u krijojë mundësinë njësive vendore të promovojnë praktikat e tyre më të mira qeverisëse për konsolidimin e demokracisë dhe autonomisë vendore. Gjatë kësaj jave do të evidentohen: konsolidimi i procesit të decentralizimit në vendin tonë, konsolidimi i të zgjedhurve vendorë, rritja e peshës së administratës vendore dhe rajonale në ofrimin dhe shpërndarjen e shërbimeve. Po ashtu do të krijohet mundësia e prezantimit të praktikave më të mira të qeverisjes, si dhe rritja e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje. Burime pranë njësive vendore në Berat bëjnë me dije se gjatë kësaj jave është parashikuar që do të organizohen një sërë simpoziumesh mbi demokracinë lokale, ku do të bëhet prezantimi i veprimtarive lokale. Ndërkohë, do të organizohen mbledhje të hapura në bashki, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të njihen me vendimet më të fundit që kanë ndërmarrë vendorët. Zyrat e bashkive dhe komunave mësohet se do të jenë të hapura për të pritur qytetarët gjatë gjithë javës së ardhshme.

Mi.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›