Ministri Ruli përuron kolektorin e lumit Devoll
Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Genc Ruli, ka përuruar dje përfundimin e projektit për zgjerimin dhe thellimin e lumit Devoll, që do të mundësojë përmirësimin e kullimit të sipërfaqeve bujqësore gjatë stinës me reshje. Ndërhyrja në kolektorin e lumit Devoll me punimet për thellimin dhe zgjerimin e shtratit të lumit, dhe pastrimin e tij në një gjatësi prej 3.5 kilometrash, është kryer nga ana e bordit të kullimit në Korçë, si pjesë e një projekti me një vlerë të përgjithshme prej 6.5 milionë lekësh. Ndërkaq, ministri Ruli ka garantuar se do të ketë më shumë investime për t‘u ardhur në ndihmë fermerëve nëpërmjet sistemit të vaditjes dhe kullimit. Mësohet se në këtë kolektor është kryer gërmimi në shtratin e lumit, ndërkohë që është kryer dhe largimi i 122 mijë metrave kub, si dhe zgjerimi i shtratit me 16 metra, me qëllim që me prurjet nga reshjet të mos ketë dalje të lumit nga fryrja. Sipas të dhënave nga bordi i kullimit, ndërhyrja do të përmirësojë kushtet në 500 hektarë tokë bujqësore. Përmirësimi i sistemit të kullimit dhe ujitjes, në këtë zonë i ka paraprirë kështu stinës me reshje. Pas ndërhyrjeve që janë kryer pritet të evitohen përmbytjet e tokave bujqësore që një vit më parë prekën një sipërfaqe prej 800 hektarësh nga dalja e lumit Devoll nga shtrati i tij.
Ju.Dh.
Ju.Dh.