E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritje ekonomike, infrastruktura, energjia, shtyllat kryesore

05/06/2009  Kryeministri Sali Berisha bën publik programin për katër vitet e ardhshme

Kryeministri, Sali Berisha, ka deklaruar se ekonomia shqiptare ka përjetuar rritjet ekonomike më të madhe. Gjatë prezantimit të programit elektoralo-politik për katër vitet e ardhshme, në emisionin “Opinion” në televizionin Klan, theksoi se rritja ekonomike ka sjellë hapjen e vendeve të punës për qytetarët shqiptare. Sipas Berishës, nëse në katër vitet e fundit u mundësua hapja e 80 mijë vendeve të punës, gjatë katër viteve të ardhshme do të hapen 160 mijë vende të tjera. Ai theksoi se këto vende pune do të hapen në bazë të investimeve të mëdha në vendin tonë. Berisha tha se janë gati gjashtë parqe të tjera industriale, ku do të hapen vende të reja pune. “Kemi nxjerrë vlerat e saj në treg. Gjeneratori kryesor i punësimit është biznesi”, ka theksuar kreu i qeverisë. Duke përcjellë programin elektoralo-politik, Berisha tha se reformat fiskale të nisura gjatë këtyre katër viteve, do të thellohen. Gjithashtu, për shefin e ekzekutivit privatizimet në vend do të vazhdojnë. Berisha nënvizoi se në Shqipëri do të vazhdojë revolucioni industrial, i cili do të jetë përcaktues i rritjes së vazhdueshme ekonomike në vend. Ai kujtoi se vendi nuk është prekur nga kriza ekonomike ndërkombëtare, gjë e cila është theksuar në të gjithë raportet e institucioneve më serioze ndërkombëtare. Duke publikuar programin për katër vitet e ardhshme Kryeministri Berisha u ndal në liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë që do të duan të udhëtojnë drejt Bashkimit Evropian. Berisha tha se tani ka filluar procesi i pajisjes së qytetarëve me pasaportat biometrike, çka po plotëson standardet më të mira. Një tjetër pikë e rëndësishme e programit është edhe furnizimi me energji të qytetarëve. “Ne morëm qeverinë në një kohë vuajtjesh të madhe të qytetarëve për energji. Premtimi ynë ishte se brenda vitit 2007 nuk do të ketë më ndërprerje energjie. Nuk mendova ndërtimin e megahidrocentraleve dhe iu drejtova tregut. Do të blej energji sa të gjej në treg që t’jua jap shqiptarëve”, tha Berisha. Ai tha se kishte blerë energji me çmime të larta, me qëllimin e vetëm për furnizim të pandërprerë. Ai u ndal në dhënien me koncesion të ndërtimeve hidrocentraleve. “Shqipëria do të jetë superfuqi energjetike rajonale”, deklaroi Kryeministri Berisha. Një tjetër pikë e fortë e programit të PD-së për katër vitet e ardhshme është edhe infrastruktura. Sipas shefi të ekzekutivit Shqipëria do të ketë infrastrukturën rrugore më moderne, gjë që është kush themelor për Shqipërinë evropiane. Në ndërhyrjen e tij, ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, tha se me përfundimin e projekteve brenda katër viteve të ardhshme, do të mundësohet që çdo destinacion i vendit nga Tirana do të jetë jo më shumë se 115 minuta larg.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›