Çavez i kundërvihet Çavezit
Më në fund, forcat opozitare politike të Venezuelës po shohin një mundësi për të rrëzuar Presidentin socialist nga pushteti. Shpresat janë ngjallur nga gruaja që tashmë po vërehet si Evita e Venezuelës: Marisabel Rodriguez Oropeza, ish-bashkëshortja e Hugo Çavez. Bionde, si bashkëshortja e Peronit, sy bojë qielli të cilët bëjnë kontrast të fortë me ata të zinjtë e Fidelit të Venezuelës, e gjallë për 43 vitet që mban mbi supe (duhet thënë se i mban shumë mirë), katolike dhe shumë pranë socialdemokratëve antiçavistë të forcës politike "Podemos" (mundemi). Marizabel zotëron një curriculum vitae që gëzon të gjithë respektin e mundshëm: gjatë zgjedhjeve për modifikimin e Kushtetutës së vitit 1999 mori 2 milionë vota.
Por faktorët që e bëjnë të njohur dhe të dashur në gjithë Venezuelën janë shumë më tepër personalë se politikë: nga viti 1997 në 2004 ka qenë la primera dama (zonja e parë) e vendit, njëherësh gruaja e dytë e liderit të revolucionit bolivarin.
"Zoti që e bekoi kur lindi dhe që e bekon tani, nuk mund t‘ia dhurojë gjithçka një njeriu. Dhe në fakt im bir nuk ka pasur shumë fat me gratë", pranon me dhimbje Elena Frías De Çavez, nëna e liderit revolucionar. Presidenti 52-vjeçar, i rizgjedhur në vitin 1998 në krye të vendit, por që humbi para pak ditësh një referendum për modifikimin e Kushtetutës së vendit - gjë që do t‘i jepte mundësinë të zgjidhej sërish me mbarimin e mandatit të dytë në vitin 2013 - tani duket se ka gjetur bukë për dhëmbët e tij. Opozita venezueliane është e fortë, por deri tani nuk ka arritur të prodhojë një figurë aq karizmatike e të spikatur sa të mund t‘ia kundërvërë Çavezit. Ndërkohë që janë të shumtë ata që mendojnë se nuk është më kështu: kundërshtarët e liderit socialist janë të bindur se tashmë kanë gjetur një personazh i cili i ka të gjitha kartat në rregull për të pretenduar majën e pushtetit: gruaja që i ka dhuruar katër fëmijë.
Dona Marizabel, ish-gazetare dhe drejtuese emisionesh radiofonike tashmë dominon botën mediatike venezueliane. E martuar përsëri në vitin 2006 me një instruktor tenisi, nuk i dridhet qerpiku përpara ish-bashkëshortit: "Çavezi ka qenë më gjatë nga ç‘duhet në krye të pushtetit. Për hir të shëndetit të demokracisë venezueliane, propozoj reduktimin e mandatit presidencial në katër vjet (deri në vitin 1999 ishte pesë vjet, që atëherë u bë gjashtë)". Nuk mjaftohet me kaq. "Populli i tha jo shtetit socialist. Le të heqim shtesën ‘bolivarian‘ nga emërtimi i Forcave të Armatosura, të fshijmë një herë e mirë sloganin ‘Atdhe, socializëm ose vdekje‘". Deri pak ditë përpara referendumit thërriste: "Votoni jo! Dhe ju kërkoj ndjesë. Jam edhe unë përgjegjëse për situatën në të cilën gjendemi sot të gjithë".
Ish-zonja Çavez hyri në jetën e Komandantit në prag të zgjedhjeve që i hapën rrugën drejt Pallatit Presidencial. Siç kujtojnë në biografinë më të mirë të shkruar për Hugo Çavezin autorët Kristina Markano dhe Alberto Barreira Tuszka: "Ajo ishte pjesë e një plani për të qetësuar popullin, për të zbutur disi imazhin e kandidatit që vinte nga radhët e ushtrisë. Marizabel qe grua e ngritur, e këndshme, e sjellshme. Edhe pamja e jashtme rezultonte mjaft bindëse. Zotëronte pamjen e atyre grave që kërkohen nëpër spotet publicitare: bardhoshe e me sy të çelët. Përkrah ushtarakut agresiv papritmas u shfaq një kukull barbi. Por që dinte edhe të fliste".
Çavezi ka namin e një Don Zhuani të thekur. Përveç një radhe të gjatë dashnoresh (prej vitesh pëshpëritet se ruan një lidhje të fshehtë me aktoren 40-vjeçare Rudi Rodrigez, modele dhe ish-Miss Venezuela, e cila në vitin 1987 ishte shfaqur përkrah Xheims Bondit). Ishte divorcuar vite më parë me mulaten Nensi Kolmenares, nga e cila pati tre fëmijë. Pas kësaj një lidhje nëntëvjeçare me intelektualen e divorcuar, Herma Marksman. Në vitin 1996 në jetën e Komandantit u shfaq Marizabela.
Ajo që tashmë shihet si Evita e Venezuelës u dashurua menjëherë pas parashutistit me origjinë indiane, aq sa në ditarin që mbante rregullisht shkruan: "Komandant, jam e juaja me trup e shpirt. Kur të keni nevojë për mua, më njoftoni". Takimi zyrtar, pas njohjes, erdhi në vitin 1997. Ish-zonja e Parë ka rrëfyer në një intervistë: "Bëmë dashuri në makinë, të mposhtur nga pasioni". Çifti u martua pak kohë më pas teksa ajo priste lindjen e së ëmblës Rosines, fëmijën e përkëdhelur të Çavezit (e cila pas divorcit jeton me të ëmën përkundrejt dëshirës së Komandantit).
E ëma e Çavezit e ka urryer që në fillim. Kjo edhe pasi fëmijët që Çavezi kishte nga martesa e parë nisën të mbaheshin larg nga njerka (tepër xheloze). Martesa rezulton shumë problematike dhe Çavezi nis ta thërrasë me nofkën "Lalo" (e marrë). Ndërkaq, Evita Venezueliane që e shoqëroi të shoqin gjatë ngjitjes në pushtet nisi të lihej mënjanë, kjo edhe pasi nisi të fitonte shumë popullaritet. "Maribela nuk pranoi kurrë faktin që martesa e vërtetë e Çavezit qe ajo me popullin dhe kurrë nuk ka arritur ta kuptojë revolucionin", zbulon Jesús Gazo, prifti ku rrëfehet Çavezi. Pas ndarjes, Marizabel zhduket nga mediat e vendit deri në shtatorin e shkuar dhe kufizohet me drejtimin e një fondacioni bamirësie, nga ku zbohet nga ish-bashkëshorti. Në atë çast shpërthen hakmarrja. Zhvillim që, po t‘i referohemi asaj që shkruan gazeta pro-qeveritare Las Verdades de Miguel, do ta bëjë shpejt lider të opozitës venezueliane, si edhe armikun numër një të Komandantit.