E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rrjet rajonal parlamentar për mbrojtjen e fëmijëve”

Nën kujdesin e Jozefina Topalli, organizohet konferenca “Roli i Parlamentarëve për parandalimin dhe reagimin ndaj shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe adoleshentëve”

TIRANE - Lufta kundër trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve mblodhi dje për herë të parë në Tiranë, Rrjetin e parlamentarëve të Rajonit, nën organizimin e  Kuvendit të Shqipërisë dhe UNICEF. Konferenca me temë “Roli i Parlamentarëve për parandalimin dhe reagimin ndaj shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe adoleshentëve”, filloi dje punimet dy ditore, nën mbështetjen e veçantë të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, me pjesëmarrjen e deputetëve të Parlamenteve të rajonit, Kuvendit të Shqipërisë, Avokati i Popullit, zëvendësministra, organizatave ndërkombëtare dhe vendase për mbrojtjen e  të drejtave të fëmijëve, përfaqësues të stafeve akademike, dhe shoqërisë civile.
Në hapjen e punimeve kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli, falënderoi dhe vlerësoi në mënyrë të veçantë Unionin Ndërparlamentar që përzgjodhi Tiranën për zhvillimin e kësaj konference me temë shumë të prekshme për shoqërinë.
Duke shpjeguar rolin e Kuvendit të Shqipërisë dhe angazhimit të saj personal,  në fushatën kombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe kundër dhunës në familje, Kryetarja e Kuvendit tha se vetëm gjatë periudhës 2005–2007, janë nënshkruar dhe ratifikuar 14 marrëveshje dhe konventa për bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në fushat e drejtësisë, kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjes së viktimave fëmijë, të trafikimit.
Kryetarja e Kuvendit në fund të fjalës së saj ftoi parlamentarët e rajonit të krijojnë një rrjet rajonal për mbrojtjen e fëmijëve, i cili të  koordinojë politikat dhe strategjitë, në këtë fushë.
Më tej e mori fjalën Sekretari i  përgjithshëm i  IPU-së, Anders Johnss, i ftuar i veçantë i Kryetares së Kuvendit në këtë konferencë, i cili drejton programet e IPU, në konsolidimin e parlamentarizmit dhe demokracisë në rajon.
 Në fjalën e tij Sekretari i  përgjithshëm i  IPU-së, Anders Johnss falënderoi dhe përgëzoi në mënyrë të veçantë kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli për fushatën aktive në mbrojtje të fëmijëve dhe sensibilizimit kundër dhunës në familje.
Gjithashtu, konferencën e përshëndeti përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri i cili falënderoi mbështetjen që kryetarja e kuvendit i jep fushatës kombëtare në mbrojtje të fëmijëve dhe luftës kundër trafikimit të tyre.
Në sesionet e punimeve të ditës së parë, e morën fjalën Avokati i Popullit, Ermir Dobiani, Zëvendësministrja e Brendshme Iva Zajmi, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Prençi. Autoritetet e larta të institucioneve shqiptare vunë theksin se ende mbeten të pamjaftueshme sanksionet penale dhe masat ndëshkuese për trafikantet e fëmijëve dhe personave që dhunojnë ata.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›