“Shqipëria pjesë e BE-së, Evropa është e paplotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor”

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, takime me delegacionet parlamentare të Çekisë, Ukrainës, Polonisë dhe Brazilit, merr garanci për mbështetje
Përfaqësuesit e delegacionit të parlamentit çek, gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, theksuan se shumë shpejt vendi i tyre do të përfundojë procesin e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe njëherazi shprehën besimin se Shqipëria në një të ardhme të afërt, do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli zhvilloi dje një sërë takimesh shumë të rëndësishme me delegacionet parlamentare pjesëmarrës në Konferencën rajonale për fëmijët organizuar në Tiranë nga Kuvendi i Shqipërisë në Bashkëpunim me IPU dhe UNICEF. Gjatë kësaj konference, kryetarja e Kuvendit bisedoi në takime të veçanta me delegacionet e parlamenteve të Çekisë, Ukrainës, Polonisë dhe Brazilit.
Një prej takimeve ku kryetarja e Kuvendit u ndal më gjatë ishte ai me përfaqësuesit e parlamentit të Çekisë, vend i cili merr presidencën e radhës së Bashkimit Evropian në gjashtë mujorin e ardhshëm.
“Ratifikimi i MSA-së dhe së fundmi ratifikimi që Dhoma e Deputetëve i bëri protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është një shenjë e mbështetjes që Çekia ka dhënë gjithmonë për Shqipërinë”, tha kryetarja e Kuvendit.
Përfaqësuesit e delegacionit parlamentar çek përgëzuan Kryetaren e Kuvendit për organizimin në Tiranë të Konferencës rajonale të nivelit të lartë mbi çështjen e fëmijëve, duke e konsideruar këtë një nga konferencat më të rëndësishme në këtë fushë sensitive.
Ata theksuan se së shpejti Çekia do të përfundojë procesin e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe ky, thanë ata, është një hap i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vendet e Aleancës së Veriut.
“Ne besojmë, se së shpejti Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së, jo vetëm për shkak të progresit të dukshëm por edhe pasi Evropa është e paplotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi i këtyre vendeve është vital edhe për BE-në e cila do të mbetej e reduktuar në politikat e saj vetëm me vendet e Evropës Qendrore”, theksuan përfaqësuesit e delegacionit parlamentar çek.
Në takim u diskutua edhe mbi rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve siç ishte rasti i privatizimit të OSSH-së nga një kompani çeke, por edhe për rritjen e numrit të turistëve çek në Shqipëri.
Edhe në takimet me delegacionet e parlamenteve të Polonisë dhe Ukrainës biseda u ndal në rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes parlamenteve jo vetëm me vizita të niveleve të larta por edhe me shkëmbime përvojash përmes vizitave të grupeve të deputetëve dhe komisioneve parlamentare.
Më tej, kryetarja e Kuvendit zhvilloi një takim edhe me Paolo Da Costa, përfaqësuesin e Parlament të Brazilit, vend i cili organizoi para pak kohësh Konferencën e tretë ndërkombëtare mbi trafikimin seksual të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Da Costa vlerësoi aktivitetet që kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve dhe kundër dhunës dhe trafikimit të tyre.