E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrjeti i ujësjellës-kanalizime dhe rrugët përbëjnë një problem të madh në njësinë bashkiake Nr.5 në Tiranë

Për banorët e kryeqytetit problemet me të cilat ndeshen çdo dit tashmë janë normale, por ajo që i lodh më shumë ata janë pengesat për zgjidhjen e tyre, që më së shumti  lidhen me burokracitë e institucioneve, që ia delegojnë njëra-tjetrës detyrat.Në të tillë situatë është dhe Njësia Bashkiake nr. 5, ku problemet janë të shumta, paçka se stafi i saj punon sistematikisht për të zbutur sadopak hallet e komunitetit që mbulon. Problemet më të mëdha ndeshen në rrugën "Irfan Tomini", ku mungon rrjeti i ujësjellës-kanalizimeve dhe rrugë-kalimeve,  si dhe në zonën e Selitës, ku "bumi" i ndërtimeve vijon pa ndërprerje. Mungesa e studimeve të plota urbanistike në këto dy zona, po shoqërohet me mungesa të shumta, sikurse janë rrugëkalimet, (ku ato ekzistuese janë plotësisht të degraduara), të rrjeteve inxhinierike, të ujit të pijshëm. Por edhe përmbytjet artificiale, kur shirat e rëna këto muaj kanë shkaktuar probleme të mëdha pasi kanalizimet ekzistuese janë jashtë funksionit. Këto probleme janë bërë të njohura nga banorët e kësaj njësie gjatë vitit 2008 gjatë dëgjesave me Kryetarin e Bashkisë, Edi Rama,  por deri tani nuk është ndërhyrë akoma. Në Zyrën e Urbanistikës në këtë njësi, të thonë se këto probleme zgjidhen me investime në sistemimin e kolektorëve nga rruga "Medar Shtylla" deri në derdhjen e lumit të Lanës,  pastrimin e shtresave të dherave në këtë lum, që jo vetëm bllokojnë, por dhe rrisin artificialisht nivelin e saj. Në 4 vitet e fundit, në këtë minibashki, nuk është bërë asnjë investim, për shkak të buxhetit të pakët që ajo përfiton nga Bashkia e Tiranës. Por nga ana tjetër, problemet e shumta i delegohen bashkisë së Tiranës, pasi ato kanë të bëjnë me ndërtimet informale, sidomos në zonën e Selitës. Njësia bashkiake nr.5 ndodhet në Jug-Perendim të qytetit të Tiranës, në një sipërfaqe prej 360 ha, ku banojnë 76 mijë banorë. Kjo zonë kufizohet në Veri me lumin e Lanës në segmentin rrugor që përfshihet nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit", deri në kryqëzimin e bulevardit "Bajram Curri" me rrugën e "Kavajës". Në Jug ndahet me Komunën e Farkës, nga hyrja e Kopshtit Zoologjik, para Kopshtit Botanik dhe deri në kodrat e Selitës, ku kufizuese është unaza e re. Në Lindje, nis nga sheshi "Nënë Tereza" (Universiteti), rruga "Parku i Madh", shëtitorja "Lasgush Poradeci" (pjesa e digës) deri tek Kopshti Zoologjik. Në Perëndim, kufizohet nga rruga e "Kavajës" (shkolla Teknologjike) vazhdimi me unazën e re, ndërpritet me rrugën "Hamdi Pepa" deri në Kodrat e Selitës, (mbi- ish ndërmarrjen "Misto Mame").

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›