Rrobat e banjos, modelet që sygjerojnë stilistët për verën 2009
Këtë verë, moda për detin ka si protagoniste të padiskutueshme rrobat e banjos me trup, jo ato të ndara. Kjo është propozuar nga stilistët për një pamje sa më të sofistikuar dhe elegante. Rrobat e banjos me trup, të propozuara për këtë vit, nuk janë siç mund t’i imagjinonte ndonjë nga ne me prerje të rëndomta. Ato janë më prerje sensuale, të hapura anash dhe krejt ndryshe nga ato çfarë jemi mësuar të shohim. Rrobat e banjos me trup janë hequr për shumë kohë nga përdorimi, por këtë herë bëhet fjalë për kostume shumë elegante, me gurë dhe aksesorë shumë tërheqës. Modelet që kërkohen më shumë janë të hapura anash ose më një të hapur strategjike në bark. Këto modele, nxjerrin në pah format e trupit. E rëndësishme është të vishen të brendshme sa më të përshtatshme me modën e këtij viti dhe të lihen mënjanë rrobat e banjos që ekspozojnë shumë gjoksin dhe që janë jashtë mode.
Ngjyrat
E zeza e kombinuar me të bardhën, e bardha absolute, rroba banjoje me dizenjë etnike me tone të së kuqes, të verdhës dhe portokallisë. Të gjithë tonalitetet e të gjelbrës, nga ajo ushtarake deri tek ajo që quhet e gjelbra mollë, janë ngjyrat e preferuara për rrobat e basnjës këtë verë. Për të brendshmet këtë vit, emëruesi i përbashkët është një rikthim në epokën e pin-up, ose vajzat e kopertinave të viteve ‘60. Prerje elegante dhe sensuale, por jo të ekzagjeruara, plot ngjyra ose me motive floreale, të mbuluara me lara në një stil perfekt hippie. Rikthehen stampimet me motive kafshësh bashkë me ato floreale, katrorët e bardhë apo të kuq, lejla, të gjelbra, bezhë. Ju kujtohen kostumet e Ester Williams dhe nxënseve të saj të notimit? Pikërisht modele të tilla, të sofistikara, por shumë provokuese janë ato që janë më në modë këtë vit.
Shallet
Mbi kostumin e plazhit, qoftë ky me trup apo i ndarë në dy pjesë shumë në modë janë dhe shallet e linosë apo të pambukut me ngjyra shumë të gjalla. Shallet mund t’i lidhim rreth belit duke dhuruar një pamje shumë sensuale dhe misterioze. Gjithashtu të rëndësishëm janë edhe aksesorët e ndryshëm siç janë kapelet, të kombinuara me çantën apo me shapkat e plazhit. Pas dore nuk duhen lënë as byzylykët apo varset të kombinuara me ngjyrat e rrobave të banjos dhe me materiale siç janë, rruazat, guackat, fildishi, kauçuku etj.
Evolucioni i bikinit
Kohë më parë, termi monokini është përdorur duke i’u referuar banjos së plazhit topless, ndërsa bikini ka dy pjesë, monokini është ndërtuar vetëm nga një pjesë dhe pikërisht vetëm nga pjesa e mbathjeve. Termi monokini u përdor nga Rudi Gernreich. Një tankini është një kostum plazhi i cili mbulon gjoksin në një pjesë më të madhe nga bikini. Një string bikini është një version alternativ i cili mbulon gjoksin më pak se bikini. Pjesa e mbathjeve tek rrobat e banjos është zvogëluar vetëm në vitet ‘70 me daljen e tangave braziliane, tek të cilat pjesa e mbrapshme është aq e vogel sa mezi duket. Mania e zvogëlimit, filloi me pjesën e reçipetave për të përfunduar me pjesën e mbathjeve.
Si t’i gjesh rrobat e përkryera të banjës sipas përmasave
Momenti i provës së rrobave të banjës është momenti i të vërtetës. Një vit më shumë, ndoshta dhe ndonjë kile më shumë dhe pasqyra e cila nuk kursehet të tregojë çdo defekt të trupit tonë, ende të zbehtë. Një situatë aspak e këndshme që të bën t’ia mbathësh ose të fshihesh. Por mos u dëshpëroni, mjafton të zgjidhni kostumin e duhur dhe mund të shfaqeni me një pamje shumë tërheqëse dhe të ndjeheni mjaft mirë më veten. Hapi i parë që duhet bërë është të evidentoni zonat e “rrezikshme”, ose problematike. Dilni para pasqyrës dhe vendosni vetë se cilat janë pjesët që ju duhet të ekspozoni apo të mbuloni më shumë. Pasi të keni bërë këtë test, zgjedhja do të jetë shumë më e lehte
Mos e shih me inat trupin tënd. Shih me syrin e duhur rrobat e banjës: që të të shkojnë dhe të të tregojnë më
elegante. Kjo është e mundur. Mëso t’i zgjedhësh.
Zgjedhja
Koha e detit dhe e pishinave mbërrin shumë shpjet, ndërkohë që dietat duhet të jenë magjike, që ti të kënaqesh nga trupi yt. Por mos i shih si zgjidhjen e vetme për një pamje tërheqëse, ku nuk bien në sy defektet. Sido që të jetë trupi yt, sado e shëndoshë të mendosh se je, kujtohu: dhe për ty ekziston një kostum banje perfekt. Si ta gjesh? Ne po ju japim një varg me këshilla. Fillo të mendosh si duhet! Për të demistifikuar blerjen e rrobave të banjës, konsideroji si një pjesë të gardërobës dhe mos e humb stilin personal. Zgjidh një model dhe ngjyrë sipas stilit dhe shijes tënde. Stilistët e rrobave të banjës këshillojnë se femrat duhet t’i zgjedhin ato në të njëjtën mënyrë që veprojnë për pjesën tjetër të gardërobës. Mund të zgjedhësh mbathjet nga një palë rroba banje dhe reçipetat nga një palë të tjera, kur këto ndahen. Ideja për të blerë rroba banje të ndara të modeleve të ndryshme është në trend. Pra, shko në dyqan dhe mbaj stilin tënd në kokë! Gjithsesi, modeli ka dhe një funksion tjetër: atë të marrëdhënies me defektet. Shpesh kjo i shqetëson femrat më shumë se çdo gjë tjetër. Por gjithsesi nuk është e pamundur që dhe me rroba banje të mbulosh defektet. Për sa i përket trupit, janë bërë katër klasifikime të përgjithshme për problemet më klasike. Në secilën prej tyre gjenden dhe rrobat e banjës që i mbulojnë këto papërsosmëri.
Gjoks i madh
Duhet të kërkosh rroba banje me një pjesë të sipërme që mbulon në mënyrë të konsiderueshme gjoksin. Duhet të shmangësh bikinit me një trekëndësh të vogël dhe me rripa të hollë, që nuk e kontrollojnë dot një gjoks të madh. Ndërsa rripat e trashë që lidhen pas qafës e mbledhin gjoksin. Ngjyrat e errëta janë shumë të mira për të mos tërhequr vëmendjen. Çelësi në këtë rast është ndërtimi i pjesës së reçipetave. Shumë rroba banje nuk kanë shtresë përforcuese në pjesën e sipërme. Prandaj duhen zgjedhur ato që kanë një shtresë të tillë. Rripat janë gjithashtu të rëndësishëm. Sa më të gjerë të jenë, aq më e madhe është mbështetja.
Bark i madh
Duhet të veshësh rroba banje trup, që japin iluzionin e një beli më të hollë. Harroji bikinit dhe sidomos shiritat horizontalë, pasi ato do ta theksonin këtë zonë. Rrobat e banjës trup, për shkak dhe të materialit të tyre, e mbledhin zonën e barkut. Materiali që tendoset është çelësi. Fijet e fibrës sintetike dhe najlonit bëjnë që kostumi t’u përshtatet dhe trupave të shëndoshë dhe, përveç kësaj, pjesa e belit është e mbuluar. Një zgjidhje e mirë janë dhe tankinit (rroba banje me dy pjesë, por pjesa e sipërme ka formën e kanotierës) kur barku është i mbuluar. Tankinit janë shumë të mira për vajzat sportive, shumë aktive në plazh.
Vithe të gjera
Për të balancuar formën e dardhës, zgjidh modele që mbulojnë dhe kontrollojnë defektet. Prerjet tradicionale të mbathjeve, me shirita të trashë anash, do të të tregojnë më të bëshme. Në vend të tyre, zgjidh mbathje shumë të ngrëna, që t’i tregojnë këmbët e gjata dhe të japin një pamje më elegante. Edhe kostumet e banjës që kanë një fund të shkurtër funksionojnë (ose fustanet e shkurtër), si minimizues të pjesës së poshtme. Dhe nuk ngatërrohen aspak me ato të kohës së shkuar. Sot ata janë më të shkurtër, më gazmorë. Duhet të qëndroni larg pantallonave të shkurtra si të djemve, sepse ato e bëjnë pjesën e pasme të duket më e madhe. Në rast se je vërtet e ndrojtur, vish një palë rroba banje që pjesën e sipërme e kanë në formë fustani të shkurtër. Janë shumë të bukura dhe të mbulojnë goxha. Për sa i përket ngjyrave, zgjidhi të errëta për pjesën e poshtme. Duhet që vështrimin ta tërheqësh në pjesën e sipërme me ngjyra të ndezura ose duke veshur një kostum banje, që ka detaje ngacmuese në pjesën e sipërme.
Kur je e mbushur
Ekspertët bien dakord që më i përshtatshmi është kostumet trup, sidomos ata me material ngjeshës, që të mbledhin. Çelësi është tek efekti i njëtrajtshëm, që e bën siluetën të duket më elegante. Syno dizenjot e ngarkuara dhe ngjyrat e errëta, sidomos ngjyra që të shkojnë. Një model i hapur lart në formë V-je, me një ngjyrë të errët, do të ishte ideal. Por mos shko direkt te ngjyra e zezë! Provo ngjyra të tjera që mund të të shkojnë! Më pas vjen radha e aksesorëve, që janë dora e fundit për të larguar vëmendjen nga zonat problematike dhe njëkohësisht të japin një look modern dhe stil. Kështu që gllabëro një kapele të stërmadhe, disa shapka interesante, syze dielli plot shkëlqim dhe ndonjë shall shik.
11 Prill 2009