E Diel, 1 Nëntor 2026

Syzat pranverë- verë 2009, fshehin vështrimin tundues



Jeni gati ta mbuloni vështrimin me magji? Syzat e diellit për stinë e pranverës vijnë plot ngjyra, disa prej të cilave të ndezura, për të dhënë pamjen e një lolite tekanjoze. Të tjera janë përshtatur me tendencën e viteve 50 dhe 60, të mëdha, me formë të rrumbullakët dhe me cepa të trashë, simbol i joshjes ose individualizmit egoist. Por nuk mungojnë as të duhurat për rastet e rëndësishme. Ju duhet të paraqiteni diku dhe pjesë e lukut janë patjetër edhe syzat. Janë të përkryera për të mbrojtur sytë nga rrezet e dëmshme të diellit, duke i dhënë po ashtu pamjes suaj një detaj tepër pikant. Syzat e diellit janë kryevepra të teknologjisë së lartë me materiale klasike ose moderne, linja të së shkuarës ose tendenca tërësisht të reja. Nuk ka krizë që të ndalë këtë industri të tërë të modës dhe është po aq e vështirë të heqësh dorë nga aksesorët apo veshjet që ju bëjnë të ndiheni më mirë me veten dhe me të tjerët.
Ngjyra ylberi për një luk romantik
Mes tendenca të ndryshme ajo që bie në sy më lehtësisht është “kromi harmonik”: lejla, e verdhë, violë ose blu elektrike për një efekt ylberi që është energji e vërtetë. Për syzat e diellit kryefjala për këtë stinë është “ngjyrë”. Format dhe ngjyrat kthehen në modele të vërteta, zgjedhjet e tyre janë individuale për t’i dhënë jetë modës vizionare që lëkundet lehtë mes lirisë dhe gëzimit. Ngjyrat e forta në fakt, nga e kuqja e pasionit tek e purpurta e shiut janë zëvendësuar nga tone më të ëmbla, nga kafja e errët në krem karamel për një luk më romantik.
E zeza, ngjyra e finesës dhe elegancës
Është e kotë ta mohojmë, ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në modë. Përkundrazi, nuk është konsideruar kurrë e tepërt: ngjyra e elegancës dhe finesës është e zeza. Ajo gjen vend kudo: në momentet më të zakonshme apo ato më të rëndësishme duke na dhuruar komoditetin dhe vëmendjen e personave që na rrinë pranë. Për një aksesor pa datë skadence, dite dhe nate, esencial, elegant dhe të rafinuar zgjedhja është gjithmonë “e zeza”. Eleganca e vërtetë vjen nëpërmjet kësaj ngjyre dhe përmasave tepër të mëdha për një luk vërtet të veçantë që ju bën të bini në sy pa shumë mundim. Ky është stil magjik, i thjeshtë dhe pak djallëzor. Forma “flutur” është një tjetër element i marrë me mjeshtëri nga moda e viteve 50 për të sjellë traditën dhe të ardhmen në të njëjtën kohë.
Art dhe modë, forma të mëdha të mbështjella me ar
E ndarë përgjysëm, art dhe modë, dizenjatorët janë frymëzuar nga format gjeometrike, tepër të rregullta dhe plot dritë. Këtyre formave u kanë shtuar shkëlqimin e arit për t’i kthyer këta aksësorë në stoli të vërtetë. Kjo tendencë e re konsiderohet udhëtim ekzotik në antikitet, në zbulim të stilit egjiptian, ngjyrave dhe ndriçimit verbues. Metali i përdorur është ar, për një efekt më të qartë joshjeje, ose argjend i shndritshëm që alternohet me format e mëdha të syzave të diellit ose formave më të minimizuara të syzave optike. Efekti në të dyja rastet mbetet i njëjtë: luks për më tepër kënaqësi dhe elegancë pafund për femrat dhe meshkujt.

BOX

Stili i yjeve të Hollivudit “Dolce&Gabbana”

Pasioni më i ri i yjeve të Hollivudit? Syzat e diellit të markës Dolce&Gabbana. Të frymëzuar nga gruaja energjike, e re, ironike, me një sens të fortë identiteti, është padyshim marka më e preferuar e të rinjve për momentin. Ato sjellin një stil modern dhe të rafinuar, janë të zbukuruar me gurë svarovski dhe kujtdo që guzon t’i ketë pjesë të tijën i japin më tepër karakter, feminilitet, pasion, ashtu siç është edhe imazhi tërësor i Dolce&Gabbana për femrën moderne. Nuk është e rastësishme që të famshmit zgjedhin syza të krijuara nga nga dyshja e stilistëve të cilat janë frymëzuar nga femra pasionante: femra Dolce & Gabbana që nuk ka frikë të shfaqet dhe nuk mund të jetë kurrsesi “viktimë e modës. Këto syza, janë aksesorë protagonistësh dhe ndër vip-at që i përdorin janë: Anxhelina Zholi, Kajli Minog, Hall Berri, Kejti Holms dhe Pier Kasiraxhi. Por nuk janë të vetmit, këtyre emrave mund t’i shtonim një listë të gjatë adhuruesish të famshëm në botën e kinemasë dhe modës. Sivjet janë përdorur me sukses materiale të çuditshme por tepër interesante, kujdes maksimal ndaj detajeve dhe formave super të mëdha, janë disa nga elementët me të cilët kanë mbetur gjithmonë të kënaqur klientët e stilit Dolce & Gabbana. Më të preferit me logon “D&G” janë modelet “4013b” ku ndërthuret forma moderne me materialet elastike. Logoja DG është e dekoruar me gurë. Tjetër model i tendencave më të fundit është “6035” për një femër më joshëse se kurrë.

11 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›