Rrogat e larta në BE, mjekët ikin nga Ballkani
Bluzat e bardha në Gjermani së shpejti mund të pasurohen me bluzat polake, bullgare, rumune. Prej vitesh mjekët polakë, bullgarë dhe rumunë largohen prej atdheut të tyre në kërkim të kushteve më të mira të punës e pagës më të mirë. Më 1 maj shfuqizohen kufizimet e fundit për hapjen e tregut të punës në Gjermani. Mbi 5000 mjekë polakë janë larguar nga vendi në tri vitet e parat të anëtarësimit të Polonisë në BE. Këto ishin kaq shumë, sa shoqatat e mjekëve në vitin 2007 dhanë alarmin. Oferta joshëse bënë që mjekët të vendosin të punojnë në Britaninë e Madhe, në Suedi apo në Zvicër. Shumë mjekë polakë kanë ardhur edhe në Gjermani. Megjithatë në Gjermani ka pasur kufizime në tregun e punës për të huajt. Kufizime ka pasur edhe në Austri. Këto rregulla kufizuese do të shfuqizohen nga 1 maji. Edhe për mjekët bullgarë që kanë të dëshirë të emigrojnë, anëtarësimi në BE është i lidhur me disa lehtësime, ndonëse kufizimet për tregun e punës në BE do të vazhdojnë të jenë në fuqi deri në vitin 2013. Diplomat nga Bullgaria dhe Rumania janë njohur në BE qysh përpara anëtarësimit. Sipas shoqatës bullgare të mjekëve vitin e kaluar rreth 500 mjekë janë larguar nga vendi dhe tendenca është në rritje. Qysh pas anëtarësimit të vendit në BE në vitin 2007, 6000 mjekë dhe farmacistë rumunë janë larguar nga vendi i tyre.