Shtohen tumoret, mjekët apel për diagnostikim
Sëmundja e kancerit po përhapet frikshëm edhe në vendin tonë dhe, nëse nuk do të operohet me një plan masash, situata parashikohet të jetë fatale për qindra pacientë. Në këtë situatë, mjekët bëjnë apel për diagnostikim, si e vetmja zgjidhje për kapjen dhe trajtimin e hershëm të sëmundjes, për rrjedhojë edhe më pak vdekje prej saj. Sipas specialistëve të shëndetësisë, disa nga shkaktarët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e numrit të të prekurve nga kjo sëmundje janë: faktorët ambientalë, ku përfshihet edhe ndotja, ndryshimet në mënyrën e të jetuarit, si dhe zgjatja e moshës mesatare. Përsa i përket llojit më të përhapur të tumoreve, sipas shifrave, në krye të listës renditet kanceri i gjirit. pasuar nga ai i qafës së mitrës. Kështu, çdo vit në vendin tonë regjistrohen 500 raste të reja të pacienteve të prekura nga kanceri i gjirit dhe, sipas mjekëve, në këto dy dekada shifrat janë rritur ndjeshëm, duke sjellë deri në dyfishim të rasteve. Po ashtu, edhe numri i grave me kancer në qafën e mitrës po rritet me ritme të shpejta. Autoritetet shëndetësore flasin për rreth 300 raste të reja në vit dhe më të prekura janë gratë mbi 40 vjeçe, ku intensiteti më i lartë vihet re në moshat mbi 45-49 vjeç. Këto shifra e rendisin Shqipërinë si vendi me vdekshmërinë më të lartë nga kjo sëmundje, pasi çdo vit vdesin 140 gra nga ky kancer. Pikërisht për të diskutuar rreth kësaj sëmundje që ka filluar të pushtojë tërë botën, dje në Tiranë është zhvilluar dita e parë e Konferencës Mesdhetare për Kontrollin e Kancerit, që do të jetë dyditore. Në këtë konferencë dyditore, e cila organizohet nën kujdesin e kryeministrit Berisha, u diskutua, ndër të tjera, për masat që ndikojnë në parandalimin e kësaj sëmundje. Ndërsa kryeministri Berisha, në fjalën e tij u shpreh se incidenca e kësaj sëmundje nuk ka të ndalur dhe është shumë e domosdoshme të ketë përqendrim në parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të saj. “Asgjë nuk mund të ndihmojë një të prekur nga kjo sëmundje më shumë sesa diagnoza e hershme. Mendoj se incidenca e sëmundjes, graviteti i saj, na ftojnë që të jemi shumë më të përqendruar në këtë mision të madh, si të parandalimit ashtu dhe të diagnozës së hershme”, - theksoi kryeministri Berisha. Po ashtu, në këtë konferencë, përveç ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, kanë marrë pjesë edhe personalitete të njohura në fushën e mjekësisë, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe jashtë saj. Në fjalën e tij, kreu i Shëndetësisë është shprehur se “Sot, Shqipëria po vuan gjithnjë e më shumë dhe në shëndetësi problematikat të cilat janë karakteristike për vendet e zhvilluara. Kanë dalë në plan të parë problematika të sëmundjeve kronike dhe sidomos të kancereve, të lidhura me faktorët ambientalë, ndotjes apo dhe ndryshimet në stilin e jetës”. Duke marrë shkas nga kjo situatë, ministri Vasili ka bërë të ditur se tashmë është hartuar “Programi Kombëtar për Kontrollin e Kancerit, 2011-2020”. Sipas tij, ky plan i miratuar sipas urdhrit nr.166, datë 28.04.2011 është tashmë një instrument në duart e të gjithë profesionistëve, politikëbërësve, vendimmarrësve, shoqërisë civile, medias e publikut të gjerë, për të bërë të mundur zbatimin e standardeve më të përparuara në fushën e parandalimit, diagnozës, trajtimit të hershëm, kujdesit paliativ etj. “Kanceret po rriten në Shqipëri, por kryesisht për arsye të lidhura me zgjatjen e moshës mesatare. Vetëm kanceri i gjirit po rritet edhe në mënyrë absolute dhe ne jemi të ndërgjegjshëm se për të përballuar këtë situatë duhen ndërhyrje të qëndrueshme dhe kosto efektive. Për të përballuar dhe parandaluar përhapjen e kancerit si në vendet e zhvilluara edhe në ato me burime më të pakta financiare, nevojitet një ndërhyrje e koordinuar. Përpjekje spontane dhe projekte të izoluara janë të destinuara të dështojnë dhe mos të jenë të qëndrueshme”, - ka pohuar ministri Vasili, i cili në fund të fjalës së tij ka bërë të ditur edhe çfarë do të bëhet për parandalimin e kësaj sëmundje.