E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për fejesën e prishur, babai ekzekuton djalin

60-vjeçari Marash Lulaj ka qëlluar për vdekje djalin e tij 27-vjeçar Edmondin, i cili sapo ishte kthyer nga emigracioni dhe ishte ndarë nga e fejuara, gjë për të cilën nuk kishte marrë pëlqimin e babait

SHKODËR Prishja e një fejese ka qenë shkaku i zënkave të shpeshta mes Marash Lulajt dhe djalit të tij Edmondit, 27 vjeç. Por ditën e djeshme sherri mes tyre ka arritur kulmin, gjë e cila solli më pas dhe vrasjen e të riut. Ndërsa familjarët që kanë qenë në atë moment në shtëpi nuk kanë mundur dot që të parandalonin ngjarjen. Sipas burimeve të policisë, dyshohet se në momentin e ngjarjes autori ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike.

Krimi

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15.00 të ditës së djeshme në fshatin Stërbeq të komunës Qendër, në rrethin e Malësisë së Madhe. Edmond Lulaj 27 vjeç ka gjetur vdekjen e menjëhershme brenda në banesën e tij, pasi është qëlluar me armë nga babai i tij Marash Lulaj. Në momentin e ngjarjes në banesën njëkatëshe të familjes Lulaj kanë qenë kryefamiljari Marashi, gruaja e tij Filja dhe djali i tij 27-vjeçar. Banesa e familjes Lulaj ndodhet rreth 50 metër pas shkollës së Stërbeqit, sapo kalon kryqëzimin e fshatit. Fillimisht babë e bir kanë nisur të grindjen me njëri-tjetrin, ashtu siç ndodhte prej disa muajsh. Në grindje e sipër, Marashi ka marrë armën e gjahut dhe nga distanca e afërt ka qëlluar mbi të birin, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia është lajmëruar nga fqinjët që kanë dëgjuar të shtënën brenda banesës së familje Lulaj dhe kujën e vënë nga nëna e viktimës.

Sipas burimeve nga policia e Malësisë së Madhe, mësohet se Marash Lulaj është vetëdorëzuar te forcat e policisë së bashku me armën e krimit.

Shkaku

Nga hetimet paraprake mësohet se viktima kishte disa muaj që ishte kthyer nga emigracioni, nga Greqia, ku kishte jetuar disa kohë. Duke mos patur punë, ai është kthyer pranë familjes. Viktima ka qenë i fejuar dhe pas kthimit nga shteti fqinj ka vendosur që të ndahej. Por një gjë e tillë nuk është pranuar nga i ati, i cili nuk ka qenë dakord për prishjen e kësaj fejese. Të njohur të familjes kanë pohuar se që nga prishja e fejesës nga Edmondi, grindjet mes tij dhe të atit Marashit kanë qenë të vazhdueshme, ndërsa Marashi njihej dhe si konsumues i alkoolit. Mendohet se edhe në mesditën e së hënës ky ka qenë motive i grindjes që ka çuar në krimin e kryer nga babai ndaj djalit të tij. Vetëm tri ditë më parë në qytetin e Shkodrës ka ndodhur një tjetër vrasje, kur një i ri ka qëlluar mbi një 55-vjeçar, i cili kishte refuzuar t’i jepte vajzën e tij për grua. Pak orë pas vrasjes policia e Shkodrës ka arrestuar autorin e kësaj ngjarjeje, së bashku me bashkëpunëtorin e tij. Që nga fillimi i këtij viti në qarkun e Shkodrës janë shënuar 13 vrasje, duke sjellë një bilanc të rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›