Rrokaj: Doktoraturat, peng i Këshillit të Administrimit në MASH
Pas miratimit të doktoratës së Historisë, shkolla për doktorantët pritet të fillojë më 15 mars
Këshilli i Administrimit në Ministrinë e Arsimit po pengon fillimin e studimeve të doktoraturës në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, duke mbajtur peng doktoratën e Historisë. Një qëndrim i tillë i drejtpërdrejtë vjen nga dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rrokaj, i cili për të disatën herë ka kërkuar nga ana e personave përgjegjës në Ministrinë e Arsimit që të lejojnë fillimin e shkollës doktorale në fakultetin që drejton.
Dekani Shezai Rrokaj sqaron se Këshilli i Administrimit pranë Ministrisë së Arsimit po tejzgjat procedurat. Një veprim i tillë për dekanin Rrokaj nuk mund të cilësohet ndryshe vetëm si një papërgjegjshmëri nga ana e këtij institucioni. “Jemi në pritje të historisë, e cila po bëhet një gangrenë. Kemi vonesa të mëdha. I takon Këshillit të Administrimit, ka një mungesë përgjegjësie prej tyre dhe një hallakatje të panevojshme, sepse këto kurrikula janë miratuar njësoj të gjitha, kanë kaluar njëlloj”, tha Rrokaj. Nëse do të miratohen dhe kurrikulat për doktoraturën e historisë, atëherë sipas Rrokaj, shkolla doktorale do të nisë në mes të muajit mars. “Ne shpresojmë që semestrin e dytë ta fillojmë shkollën doktorale, që do të thotë se parashikoj 15 marsin. Kemi përcaktuar edhe kriteret për përzgjedhjen e tyre. Kemi vënë notën 8 si skualifikuese. I kushtojmë rëndësi masterit që ata kanë mbrojtur. Kemi kaluar në përparësi, për dobi publike, të gjithë profesoratin e ri që jep mësim në institucionet publike, pastaj ata që japin në institucionet private”, vijoi më tej dekani Rrokaj. Aktualisht, shkolla doktorale në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, do të përmbajë doktoratura për mësuesi, gjuhësi, letërsi dhe gjeografi. Interesi i aplikantëve për të ndjekur këto studime të avancuara është tepër i madh.
#