E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza, tensionet që rrezikuan dështimin e dialogut Berisha-Rama

Dialogu shtyhet një javë, Topi niset në Kroaci. Misioni i KiE vjen më 22 shkurt
Takimi i parë mes Kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama, pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe një fushate të egër sulmesh të ndërsjella, ka kaluar me një lojë diplomatike nervash, ku kreu i PD-së kërkon të fitojë kohë dhe kreu socialist nuk lëviz nga qëndrimi për hapjen e kutive. Por të dyja palët i kanë premtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që janë të gatshme për të vazhduar dialogun, i cili do të çojë në një zgjidhje. Pas takimit të parë, Berisha dhe Rama do të bëjnë një “pushim”, por ekspertët e Presidentit kanë nisur që dje që të hartojnë draftin, i cili do t’u jepet që nga e hëna palëve për ta diskutuar në selitë respektive. Në javën e ardhshme nuk priten negociata, pasi Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të zhvillojë një vizitë në Kroaci, me rastin e inaugurimit të Presidentit Josipoviç dhe do të qëndrojë në Zagreb nga e mërkura deri të premten. Ndërkaq, këshilltarët juridikë të Presidentit kanë filluar nga puna, e cila do të jetë e vështirë. Kjo pasi gjithçka varet nga vullneti politik i palëve. Në 180 minutat e tryezës së djeshme të thirrur nga Presidenti i Republikës, ka pasur tension të madh dhe nerva të tendosura, madje takimi ka qenë afër dështimit në orën 13:05, kur Kryeministri Berisha dhe kreu i PS-së, Edi Rama, ishin gati të linin tryezën duke rrezikuar prishjen e dialogut, i cili sapo ka nisur. Gjithçka ka filluar në orën 11:00, kur Presidenti i Republikës kishte krijuar kushte të barabarta protokollore për palët në tryezë. Ndryshe nga ç’ishte parashikuar, si Kryeministri Berisha, bashkë me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Patozi, ashtu edhe lideri i opozitës, Edi Rama, bashkë me kreun e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, kanë hyrë nga porta kryesore e Presidencës. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka hapur takimin dhe nuk ka paraqitur asnjë draft, por ka ftuar palët të diskutonin për zbatimin e rezolutës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Topi i ka ftuar Berishën e Ramën që të mos përplasen për çështjet për të cilat kanë kundërshtime, por të diskutojnë rreth një mundësie konvergjence. E thënë më qartë, si taktikë negocimi është ndjekur logjika e mossulmimit të argumenteve kryesore të palëve. Berisha ka shprehur se është i hapur për të ngritur komisionin hetimor, por ka përmendur vendimin e gjykatave si limit të kompetencave të tij politike. Nga ana e tij, lideri i opozitës, Edi Rama, ka theksuar hapur se nuk e kundërshton vendimin e gjykatave dhe nuk bëhet fjalë për ndryshimin e rezultatit në tavolinë. Një moment situata është acaruar, por me insistimin e Presidentit Topi, palët më pas janë angazhuar për lënien hapur të kanaleve të bisedimeve. Mësohet se në momente të vështira ka pasur edhe telefonata “diplomatike”. Në pjesën e dytë të tryezës, e cila ka qenë më pak e tensionuar, palët kanë folur për afatet. Kreu i socialistëve, Edi Rama, ka qenë më kërkuesi, duke bërë thirrje që të mos ketë zgjatje të negociatave, ndërsa Berisha ka thënë se është i gatshëm që të nisë komisionin hetimor që në seancën e ardhshme të Kuvendit, pa kutitë. Nga PS druhet që bisedimet të shtyhen deri më 4 mars, kur disa deputetë të saj bënë të ditur se do të futen me vendim të njëanshëm në Parlament. Kjo mund të prishte gjithçka dhe të hidhte në erë bisedimet, por gjithçka pritet të ketë një zhvillim ndryshe më 22 shkurt, kur mbërrin në Tiranë delegacioni i madh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i cili do të nisë serinë e takimeve me Ramën e Berishën dhe do të bëjnë presion për arritjen e marrëveshjes. Deri atëherë, shqiptarët mbajnë frymën se çdo të ndodhë në selinë e PD-së dhe PS-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›