E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO nis ofensivën masive ndaj talebanëve

është operacioni më i madh i organizuar që pas fillimit të luftës në vitin 2001
Forcat e NATO-s në Afganistan kanë përshëndetur suksesin e fazës së parë të një operacioni masiv për të përzënë talebanët nga zonat kyç të Helmandit në jug të vendit. Mbi 15000 trupa amerikane, britanike dhe afgane janë ngjitur në Marjah dhe Nad Ali para agimit. Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, objektivat që u vunë para këtij aksioni janë arritur me sukses. Ndërkaq, janë regjistruar vetëm 2 viktima nga ana e trupave të NATO-s, ndërsa nga ana e militantëve janë vrarë 20 vetë. Operacioni “Mosharak” është sulmi më i madh i kryer që nga rënia e talebanëve në vitin 2001. Kjo fjalë do të thotë “bashkë” në gjuhën lokale dhe në të janë përfshirë 4000 marinsa, të mbështetur nga po kaq trupa amerikane, kanadeze dhe estoneze. Ofensiva ka nisur nga helikopterët që kanë dërguar trupat e tyre mbi zonat problematike. Më pas kanë qenë trupat britanike ato që kanë hyrë në zona përmes tankeve dhe artilerisë së rëndë dhe më pas kanë hyrë këmbësorët. Sipas zëdhënësve të trupave të ndryshëm, talebanët kanë qenë të paaftë për të bërë një kundërpërgjigje të denjë për sulmin e befasishëm dhe të furishëm të forcave të NATO-s. Si pasojë janë arritur objektivat kryesorë të sulmit me humbjet minimale. Pas valës së parë të sulmit ka pasur luftime që janë përqendruar në disa zona zjarri në të gjithë pjesën problematike, por edhe nga ana e talebanëve nuk ka pasur shumë viktima, pasi një pjesë e tyre kanë preferuar që të mos i përgjigjen kësaj situate me sulm, por me tërheqje. Megjithatë, sipas burimit të disa agjencive të ndryshme të lajmeve, talebanët ende ndodhen në një pjesë të pikave kyçe. Sipas zëdhënësit të talebanëve, këta të fundit janë tërhequr për të kursyer jetët e civilëve, të cilët mund të ishin shndërruar në humbje shumë të mëdha. Sipas Ohamad Zazai, komandantit të trupave afgane në operacion, vetëm 20 militantë janë vrarë dhe janë plagosur 11 të tjerë. Në rajonin e sulmit mendohet se para fillimit të tij ndodheshin 400 deri në 1000 militantë. Qëllimi i ndërmarrjes së këtij operacioni nga ana e NATO-s ishte që të sillte normalitetin në zonat e sipërpërmendura dhe të rivendoste sigurinë. Në Kabul, përfaqësuesi i civilëve pranë NATO-s tha se lajmi i sulmit të NATO-s është pritur pozitivisht edhe pse civilët u shqetësuan shumë për shkak të ndonjë mosllogaritjeje të mundshme. Ndërsa ministri i Mbrojtjes së Afganistanit, Rahim Wardak, tha se ishte shumë e rëndësishme që të rivendosej siguria lokale menjëherë. Sipas tij, kishte pasur një rezistencë sporadike dhe jo ajo që mund të pritej në një rast të tillë nga ana e talebanëve.
Për sa u përket detajeve të sulmit, bëhet fjalë për sulmin më të madh me helikopterë të realizuar ndonjëherë në Afganistan që pas hyrjes së trupave të NATO-s në të në vitin 2001. Në këtë sulm u përfshinë 60 helikopterë të forcave të koalicionit. Sfida kryesore e ndërmarrjes së këtij operacioni ka qenë sigurimi i qetësisë së banorëve të këtyre zonave të mbushura me talebanë. Ky operacion është i pari i këtyre përmasave i strategjisë së re të Presidentit Obama në Afganistan. Suksesi, apo dështimi i tij, varen shumë nga pasimi i tij nga një qeverisje e mirë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›