Rrufe në Vaun e Dejës,Shqipëria pa drita

Shqipëria ka pësuar dje rreth orës 21:00 një <blackout> i cili ka zgjatur për rreth 40 minuta. Sipas OST-së kjo ka ndodhur për shkak të një shkarkimi atmosferik i cili shkaktoi stakimin e njëkohshëm të linjave të transmetimit 220 kv Vau i Dejes - Podgorice, Vau i Dejës - Tiranë dhe Vau i Dejes - Koman. Dalja nga puna e këtyre linjave shkaktoi mbingarkimin e pjesës tjetër të sistemit transmetues, i cili për pasojë të funksionimit të sistemit mbrojtes nga mbingarkesat, doli përkohësisht jashtë funksionit. Pas verifikimit të situates së krijuar, Operatori i Transmetimit filloi rienergjizimin gradualisht të linjave te transmetimit të stakuara, proces i cili zgjati 40 minuta deri në normalizimin e plotë të furnizimit me energji elektrike të të gjithë sistemit energjitik. Rezulton se nuk ka dëmtime në sistemin e transmetimit i cili tashmë është plotësisht funksional, përjashtuar një seksioni të zbarës së demtuar nga rrufeja në nënstacionin e Vaut të Dejës, e cila do të riparohet së shpejti.