E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrufeja djeg shtëpinë e murgeshave

03/07/2009  Ngjarja në Hajmel të Shkodrës. Gratë shpëtojnë për fat, ndodheshin në kishë

SHKODER- Moti i keq dhe vetëtimat e shumta që shoqëruan natën e kaluar në zonat e thella të zonës së Vaut të Dejës së rrethit të Shkodrës është bërë shkak për dëmtimin e plotë të shtëpisë së murgeshave në fshatin Hajmel.

Djegia e banesës

Sipas burimeve nga Hajmeli, rrufe të shumta kanë rënë në këtë fshat, ndërkohë që njëra prej tyre ka goditur në çati dhe Qelën, ose ndryshe shtëpinë e murgeshave. Rrufeja është bërë shkak i kapjes flakë të pjesëve të drunjta të çatisë dhe më pas zjarri është përhapur në të gjithë ndërtesën e lartë murgeshave të Hajmelit. Alarmi për zjarrin është dhënë nga njëra prej murgeshave, e cila në atë moment kishte dalë nga kisha dhe po i drejtohej Qelës. Murgesha ka lajmëruar forcat e ndërhyrjes zjarrfikëse të Vaut të Dejës, ndërkohë që janë alarmuar dhe gjithë banorët e fshatit Hajmel. Banorët kanë filluar të hedhin ujë me kova në flakët që kishin përfshirë tashmë ndërtesën, por zjarri nuk po shuhej. Rreth gjysmë ore banorët janë përballur të vetëm me zjarrin dhe më pas kanë ardhur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë kryer ndërhyrjen vendimtare për shuarjen e zjarrit. Pavarësisht gatishmërisë së banorëve dhe ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, ndërtesa ka pësuar dëmtime të shumta nga djegia, ndërkohë që janë djegur të gjitha pajisjet dhe materialet e shumta që ishin brenda. Fatmirësisht dëme në njerëz nuk ka pasur, pasi murgeshat në atë kohë ndodheshin në kishën e fshatit Hajmel që ndodhet jo shumë larg Qelës, apo shtëpisë ku jetonin 5 murgesha. Vlen të theksohet se ndërhyrja dhe vajtja e forcave zjarrfikëse me shpejtësi në vendin e rënies në zjarrit ishte e vështirë pasi fshati Hajmel është një zonë e largët malore.

Shtëpia e murgeshave, apo Qela ishte një nga ndërtesat më të larta të Hajmelit, ndaj dhe u kap nga rrufetë e rëna në atë fshat malor. Kjo ndërtesë ishte ndërtuar rreth 12 vjet më parë, me interesimin e arqipeshkëvisë së dioqezës Shkodër –Pult, pasi në atë zonë ndodhej një komunitet i gjerë i besimit kristian, i cili ishte diskriminuar nga regjimi komunist pas vitit 1967, kur dhe u ndalua besimi fetar. Duke qenë një zonë tepër besimtare edhe pas ndalimit të fesë, komuniteti i asaj zone u la në kushte të mjerueshme dhe dëshpëruese jetese. Me ardhjen e demokracisë u ngrit një kishë e re dhe u ndërtua një shtëpi murgeshash, e cila kishte si qëllim jo vetëm ringjalljen shpirtërore të besimtarëve, por edhe për t’i ndihmuar ata si materialisht me ushqime dhe veshmbathje, ashtu dhe për medikamente dhe përkujdes mjekësor. Ndërkohë nuk dihet se çdo të bëhet me strehimin e 5 murgeshave, të cilat janë të detyruara të kërkojnë strehim në shtëpitë e banorëve të zonës. Ndërkohë ajo çka është theksuar pavarësisht dëmeve materiale në banesë, e cila është tërësisht e pabanueshme, është fakti që 5 gratë nuk kanë qenë në shtëpi kur është shkarkuar rrufeja. Në të kundërt kjo do të kishte pasur pasoja fatale për jetën e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›