Greqi, shqiptarja pranon se vrau biznesmenin bashkë me të shoqin
Shqiptarja e arrestuar për vrasjen e biznesmenit dhe betonimin poshtë pllakave të dushit në shtëpinë e saj, ka pranuar ngjarjen dhe është shprehur se ka qenë prezente. Dje paradite, në orën 10:30, në hetuesinë e qytetit të Patrës, 54-vjeçarja firmosi se ka qenë në prezencë kur u zhvillua vrasja tragjike e 43-vjeçarit biznesmen, i cili jetonte në Luca të Athinës. Fillimisht, 54-vjeçarja nuk bindej. Këmbëngulte se nuk kishte lidhje me vrasjen dhe madje kishte fajësuar shokun e saj 38-vjeçar, edhe ky shqiptar. Policia greke ka mundur të gjejë dhe të arrestojë gruan shqiptare që dyshohet se ka betonuar trupin e një biznesmeni grek poshtë pllakave të banjës së shtëpisë, ku jetonte me qira me bashkëshortin. “Bashkëshorti im vrau biznesmenin dhe vdiq tre muaj pas kësaj ngjarjeje”, ka deklaruar 54-vjeçarja shqiptare, e cila u arrestua nga policia. Me këto argumente ka dashur të mbrohet shqiptarja që dyshohet se betonoi një 43-vjeçar biznesmen. 54-vjeçarja, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, u gjet dhe ka pranuar se ka pasur lidhje me 43-vjeçarin dhe se ka qenë pjesëtare e krimit. Sipas të thënave të 54-vjeçares në polici, biznesmeni e shfrytëzonte vitet e fundit. E përdorte shqiptaren për t’u marrë paratë moshave të mëdha me mënyra të ndryshme dhe kësaj nuk i jepte asgjë. Në policinë e Patrës kanë dëshmuar edhe dy persona. Një 51-vjeçar, i cili ishte pronari i shtëpisë ku u gjet kufoma, i cili mban akuzën e fshehjes së taksave për banesë të dhënë me qira dhe një shqiptar, i cili dyshohet të jetë personi që telefonoi në një emision televiziv dhe dha informacione për ngjarjen. 51-vjeçari deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen. “Unë thjesht dhashë banesën me qira dhe nuk di asgjë tjetër”, tha ai në polici. Interesante ishte dëshmia e personit të dytë, i cili është shqiptar. “Më kërkuan që të shkatërroja dushin, mirëpo unë nuk pranova”, tha ai. Shqiptari u tha policëve se i kërkuan të shkatërronte dushin, mirëpo nuk e bëri, pasi pronari i shtëpisë nuk kishte leje për këtë punë. I njëjti person besohet të ketë telefonuar në një emision televiziv dhe dha shumë të dhëna të rëndësishme për ngjarjen tragjike. Të dhëna që zgjidhnin të gjithë misterin e kësaj çështjeje. Ndërsa hetimet vazhdojnë, 54-vjeçarja shqiptare këmbëngul se vrasësi ishte bashkëshorti i saj që vdiq verën e kaluar. Sa për 38-vjeçarin shqiptar, policia beson se ishte ky personi që vendosi kufomën poshtë pllakave të dushit.
#