Babai i Bleonës: Fati i vajzës, në dorë të Zotit
Ka kaluar më shumë se një muaj nga humbja e mistershme e vajzës 6 vjeçe, Bleona Mata, nga Zapodi dhe ende organet kompetente nuk kanë rënë në gjurmë të saj. Të zhgënjyer për mungesën e rezultateve në kërkimet nga ana policisë dhe prokurorisë, prindërit tashmë i kanë drejtuar shpresat te Zoti. Zamir Mata, babai i Bleonës tha për gazetën “Shqip” se koha po kalon dhe asgjë konkrete nuk shihet në horizont. “Ka kaluar kaq kohë dhe akoma nuk ka asnjë përgjegjës për humbjen e vajzës time. Shkoj çdo ditë te vendi ku atë të shtunë kemi gjetur xhupin dhe bukën e lënë përgjysmë nga Bleona, qaj dhe i lutem Zotit të na e sjellë”, thotë Zamiri. Policia nga ana e vet ka pushuar kërkimet në terren, të cilat për tri javë rezultuan që nuk ishin në pistën e duhur dhe tashmë askush nuk ngjitet në Zapod në mënyrë të bujshme siç ka bërë policia ato ditë. Bleona u zhduk më datë 22 maj 2010 në afërsi të fshatit, duke kullotur bagëtitë. Atë në të vërtetë e kishin marrë me vete pesë vajza të rritura, duke e mashtruar se do të mblidhnin manaferra, siç ka dëshmuar gjyshja e Bleonës, Saidja. Përfundimi qe i tillë që vajzat nuk mblodhën manaferra, por thanë se e humbën Bleonën, të cilën e thirrën nga shtëpia ku ajo po luante me vëllain e vogël dhe me fëmijë të tjerë.
#