Deti i trazuar krijon probleme në porte
Moti i keq, me erë të fortë dhe reshje të dendura shiu ka krijuar probleme dhe vonesa në Portin e Vlorës. Deti me dallgë të forta bëri që puna në port të pezullohej për disa minuta deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. Kapitaneria e Portit urdhëroi daljen në radë të trageteve të linjës dhe anijeve, nga frika e një përplasjeje të mundshme me kalatat e molit. Era që frynte me një shpejtësi prej 20 metrash në sekondë nga Jugperëndimi e ngriti detin në 4 ballë në gji dhe 6 ballë në det të hapur. Ndërkohë, sipas parashikimeve nga Kapitaneria e Vlorës, moti me vranësira dhe shira të dendur do të vijojë edhe në dy ditët e ardhshme. Për këtë arsye janë paralajmëruar peshkatoret të mos dalin në det të hapur deri në përmirësimin e motit. Sipas Kapitanerisë fortunali e prek Vlorën 35 ditë në vit, por jo në të tillë stinë, gjithsesi është e parashikuar që situata të tilla të ndodhin edhe në sezonin e verës. Probleme ka pasur dje edhe në Portin e Durrësit, ku është ndërprerë për disa orë përpunimi i disa anijeve të mallrave dhe është ndaluar dalja në det e peshkatoreve dhe anijeve të vogla.
#