Shiu i verës trazon Shqipërinë
Reshjet e dy ditëve të fundit, që kanë përfshirë gati gjithë territorin e vendit, kanë krijuar mjaft probleme në disa qytete. Përmbytje, rrëshqitje dherash dhe probleme me furnizimin me energji elektrike kanë qenë pasojat e motit të keq në Veri dhe Jug të Shqipërisë. Kështu, rrëshqitja e dherave dhe gurëve nga shpatet e maleve në zonën e Dukagjinit ka mbajtur për dy ditë të izoluar dhe pa energji elektrike disa fshatra në kësaj zone. Ndërkohë, përveç bllokimit të rrugës, rrëshqitja ka dëmtuar hidrocentralin e zonës dhe ka bllokuar kalimin për 10 turistë të huaj që po ktheheshin nga zona turistike e Thethit. Ngjarja në fjalë ka ndodhur dje në vendin e quajtur Ndërlysaj, pak kilometra pa hyrë në zonën turistike të Thethit, në Dukagjin. Shkak i rrëshqitjes së gurëve janë bërë reshjet e shiut dhe era e fortë. Zona ku ka ndodhur rrëshqitja është pranë hidrocentralit të Ndërlysës, madje dhe baseni ujëmbledhës i hidrocentralit ka pësuar dëmtime. Gjithashtu, rrëshqitjet e gurëve kanë bllokuar edhe rrugën që lidh fshatin turistik të Thethit me pjesën tjetër të vendit. Sapo është marrë informacioni për situatën e krijuar në vendin e ngjarjes janë nisur një grup pune nga Drejtoria e Rrugëve dhe punonjës të policisë së rendit. Me ndihmën e autoriteteve, turistët e huaj, një grup motoçiklistësh, kanë mundur të vazhdojnë rrugën për në qytetin e Shkodrës.
Ndërkohë, burime nga Prefektura e Elbasanit bëjnë të ditur se si pasojë e reshjeve të dendura, që vazhdojnë të bien pa ndërprerje që prej fundjavës, janë shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor, si dhe rrëshqitje të dherave në disa fshatra të qarkut. Sipas Mustafa Arapit, shef i zyrës së emergjencave civile për Prefekturën e Elbasanit, në segmentin e rrugës kombëtare Librazhd-Elbasan, në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit” dhe atë Peqin-Elbasan, pranë fshatit Papër, qarkullimi rrugor vazhdon të jetë problematik nga rënia e dherave dhe gurëve në rrugë. Gjithashtu, mësohet se në fshatrat e Komunës Kukur në rrethin e Gramshit, ka pasur dëmtim të të mbjellave, kryesisht të perimeve të stinës, që janë shkatërruar nga stuhitë e breshrit. Ndërkaq, në fshatrat e komunave të Lunikut e Komunës-Qendër në rrethin e Librazhdit ka pasur rrëshqitje të tokës.
Burime nga nënprefektura e Librazhdit, bëjnë të ditur se një lagje periferike në qytetin e Librazhdit është përmbytur, gjë që ndodh për të dytën herë brenda një harku kohor prej katër muajsh. Po kështu, të njëjtin fat kanë pasur edhe zyrat e degës së sigurime shoqërore, që ndodhen në këtë lagje, e cila sa herë vërshon rrjedha e Shkumbinit, rrezikohet nga përmbytje masive.
Ndërsa në Kukës, janë dëmtuar disa nga akset e rëndësishme rrugore, kryesisht ato rajonale. Siç njoftohet nga Drejtoria e Rrugëve, rruga Kukës-Shishtavec ka pasur dëmtime të pjesshme për shkak të rrëshqitjeve të dherave. “Kemi pasur dëmtime të rrugës së Shishtavecit në tre-katër vende për shkak të shiut dhe kjo gjë ka krijuar probleme për shumë orë derisa kemi bërë të mundur pastrimin e aksit”, ka pohuar një drejtues i kësaj ndërmarrjeje. Udhëtarët që e kanë përshkuar këtë aks kombëtar të rrugës me gjatësi 35 km thanë se disa furgonë kanë mbetur të bllokuar nga shembjet e skarpatës në afërsi të fshatit Shtrezë, ku edhe më parë ka pasur probleme dhe vetëm një fadromë e dërguar nga Kukësi ka bërë të mundur pastrimin e rrugës. Ndërkohë, dëmtime të pjesshme kanë pësuar edhe akse të tjera të rrugëve si ajo Kukës-Bushtricë, Kukës-Kalis etj.
Reshjet me intensitet të lartë kanë sjellë probleme në qarkullimin rrugor edhe në Qarkun e Lezhës, ndërkohë që raportohet përmbytje e disa rrugëve në këtë qytet. Situata ka qenë problematike në rrugën kryesore nga Varrezat e Dëshmorëve deri në afërsi të qendrës së qytetit. Kjo situatë ka sjellë mjaft probleme në qarkullimin e mjeteve në këtë aks. Sipas specialistëve të Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, situata është krijuar për shkak të bllokimeve të kanalizimeve nëntokësore. E njëjta situatë ka qenë edhe në qytetin e Laçit, ku rrugët kryesore janë mbuluar me ujë për shkak të bllokimit të kanalizimeve.
Ndërsa në Vlorë, rrugët e qytetit “u pushtuan” nga uji për 30 minuta dhe vetëm pas ndërhyrjes së punëtorëve të bashkisë u zhbllokuan.
#