E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush i qan kalorësit këmbët?



Fatmir Kovaçi

Kush diku qorton ose ankohet pa bazë fare, populli ka një shprehje që thotë: “I qan hallin kalorësit, pse i varen këmbët”. Kështu po e bën opozita jonë kryesore. Ngaqë drejtuesi i saj ka marrë komunat dhe fshatrat, disa të quajtur “specialistë” i kanë servirur një ide “të madhe”. Zhvillimin rural! Dhe nga kjo ide e madhe socialistët tanë kanë menduar dobare se do të bëjnë një ministri të madhe, ministrinë e Zhvillimit Rural, ministrinë për fshatin(!). Pse, deri tani i bie që Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka qenë vetëm për qytetin(?!). Socialistë-“specialistët” tanë duhet ta dinë se fondet për bujqësinë shqiptare në katër vitet e fundit janë pesëfishuar. Nëse në vitin 2004 pesë milionë dollarë naftë e subvencionuar nga shteti përfundonte tek benzat e djemve të dinjitarëve socialistë për të bërë xhiro nëpër qytete, këtë vit, 15 milionë dollarë kalojnë tek bujku shqiptar. Po kaq fituan me projektet e tyre shtatë mijë familje bujqish në vitet 2007-2008 për të mbjellë me mijëra hektarë ullishte, vreshta e pemëtore të tjera. Dhe këta tridhjetë milionë dollarë mbështetje për prodhim të ri bujqësor praktikisht kthehen në një investim katër herë më të madh se një dollar i dhënë nga shteti nxit bujkun të shpenzojë tre të tjerë, për të prodhuar dhe fituar më shumë. Këto nuk janë shifra në erë, të mjafton të lëvizësh me makinë disa kilometra larg qytetit dhe e sheh ndryshimin, sepse gabojnë ata që e mendojnë zhvillimin vetëm pallate shumëkatëshe dhe pabe, restorante e supermarkete. Supermarketet duhen furnizuar me prodhim të freskët dhe për këtë bujqësia shqiptare po përshtatet. Ka ende shumë prej nesh që kujtojnë se vijojmë të blejmë në treg mollë ose qepë maqedonase. Molla e importit shihet në tregun tonë vetëm në muajt e dimrit, për shkak të mundësive ende të pakta frigoriferike të bujqve tanë. Por realisht bujqësia jonë ka zëvendësuar 80 për qind të importeve të ushqimeve, perime, fruta e bulmet. Sikurse ka theksuar edhe vetë drejtorja e Bankës Botërore në Shqipëri, Camille Nuamah, bujqësia shqiptare ka potencialin për të zbutur pasojat e krizës ndërkombëtare në Shqipëri. Dhe po e bën këtë çdo ditë e orë, me prodhimin e saj të shtuar, me 30 mijë vendet e reja të punës që ka hapur këto tri vitet e fundit, me qindra e mijëra emigrantët që janë kthyer në fshatrat e Korçës, Lushnjës, Dibrës e Lezhës për t’u marrë me bujqësi, pse të ardhurat janë më të mëdha se puna e pakësuar në vend të huaj. Ndoshta janë të shumtë ata që nuk e dinë në qytetet tona (dhe mes tyre edhe socialistët tanë që ëndërrojnë të marrin pushtetin, pa u menduar mirë se si duhet të punojnë për këtë vend), se ministria që mbulon dhe më së miri fshatin ka zgjeruar e thelluar lumin Drin, që të mos përmbytet Lezha e zonat e saj. Deri pak vite më parë Lezha përmbytej me 40 mm shi. Tani përmbytja nga shirat është kujtim i së kaluarës. Po ashtu, kjo ministri po pastron 30 km kanal vaditës të quajtur Emisar të Myzeqesë, 15 metër të gjerë e deri 10 m të thellë. Po pastron kolektorin mbledhës ujërash të Roskovecit, më i madh se Emisari i Myzeqesë dhe që kullon rreth 30 mijë ha tokë. Socialistët qahen për mosvëmendje ndaj fshatit dhe flasin për të krijuar një agjenci për biznesin rural, kur Ministria jonë e Bujqësisë e ka krijuar Agjencinë e Pagesave në 1 janar të këtij viti, duke realizuar që vendi ynë të ishte vendi i parë mes atyre që nuk janë vende anëtare të BE-së me një agjenci të tillë. Për ata që e mendojnë të parakohshme, nuk ka më mirë sesa të kesh një autoshkollë për të mësuar drejtimin e automjetit të quajtur fonde të zhvillimit rural. Janë fonde masive që Bashkimi Evropian ua akordon vendeve anëtare dhe kandidate të BE-së. Shumë shpejt vendi ynë do të bëhet vend kandidat i Bashkimit Evropian dhe duhet të mësohet që tani me strukturat e domosdoshme për të thithur fondet komunitare. Një nga këto struktura është Agjencia e Pagesave. Socialistët tanë qahen për varfërinë ekstreme të fshatit, për të papunët e tij. Në fshatrat tona nuk ka të papunë, sepse të gjithë merren me punët e bujqësisë. Me mbjelljet, shirjet, të korrat, mbarështimin e bagëtive. Janë tre milionë kokë bagëti dhe pronarë të tyre janë “fshatarët e varfër” të socialistëve. Si dhe mbi 2 mijë e pesëqind traktorë, autokombajna, zetorë etj. Rreth dhjetë për qind e familjeve fshatare ka mbi dy automjete në shtëpi, si dhe mbi 3-4 telefona celularë, pa folur për orenditë e pajisjet elektronike në vatrat e tyre. Prandaj, socialistë të nderuar, mjaft ia qatë hallin kalorësit pse i varen këmbët!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›