Kandidatët, KQZ, sot verifikimi i listave të 30 partive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rinis sot rishqyrtimin e listave për rreth 30 parti politike, të cilave u ishte tërhequr lista për parregullsi me kërkesat e Kodit Zgjedhor. Në listën e 30 partive me parregullsi, ka edhe emra VIP, siç është Partia Socialiste, së cilës iu kthye qarku i Lezhës për shkak të mospërmbushjes së kërkesës së 30-përqindëshit të grave në listë. Mësohet se Partia Socialiste ka rregulluar listën e kandidatëve për deputetë të qarkut Lezhë, duke shtuar një emër gruaje. Linda Frroku do të jetë e teta në listën e kandidatëve të PS-së për këtë qark, ndonëse janë vetëm 7 mandate në këtë qark. Së bashku me PS-në pritet që edhe rreth 30 parti të tjera të ridorëzojnë listën e korrigjuar. Krahas problemeve në 30-përqindëshin e gjinisë, partitë kanë pasur probleme në lidhje me identitetin e kandidatëve për deputetë. Dje KQZ-ja nuk u mblodh për t’u dhënë kohë partive për të bërë korrigjimet përkatëse, ndërsa afati i fundit është dita e nesërme, më datë 27 maj. Në rast se deri në këtë datë partitë nuk sjellin listat e korrigjuara, atje ku duhej të ishin, atëherë ato do të humbasin të drejtën për të garuar në këto zgjedhje.
Aktualisht, në total në KQZ ndodhen listat e rreth 36 partive politike dhe vetëm 5 prej tyre nuk kanë pasur asnjë problem në listat e tyre gjatë shqyrtimit paraprak të listës për kandidatët për deputet. Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Lëvizja e Legalitetit, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, Partia e Gjelbër e Shqipërisë ishin partitë e vetme të cilat nuk patën probleme në lidhje me identitetin e kandidatëve. Gjithsesi, gjatë fazës paraprake, PD-ja bëri disa ndryshime në listën e saj si në qarkun e Kukësit ku shtoi një kandidate femër në numrin rendor pesë, si dhe zëvendësoi kandidatin e tërhequr në Durrës, Sami Gjergjin. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në qarkun e Gjirokastrës, ku sipas listës së parë në pesë kandidatë vetëm një ishte femër dhe dje është vendosur që të hiqet nga lista Pëllumb Peçani dhe në vend të tij është vendosur Shpresa Joanidhi, e cila do të jetë e pesta në këtë qark.
Partitë që u janë miratuar listat
Partia Demokratike
Lëvizja Socialiste për Integrim
Partia Lëvizja e Legalitetit
Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve
Partia e Gjelbër e Shqipërisë.
Partitë që do t’u rishqyrtohen listat
Partia Socialiste
Partia Lëvizja për të drejtat dhe Liritë e Njeriut
Partia Socialiste e Vërtetë ‘91
Partia Toleranca e Re e Shqipërisë
Partia Demokristiane
Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
Partia Bashkimi Demokrat
Partia Konservatore
Partia Rruga e Lirisë
Partia e Reformave Demokratike
Partia Social Demokrate
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
Partia Demokracia Sociale
Partia G99
Partia Republikane
Partia Agrare Ambientaliste
Partia Aleanca Demokratike
Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet
Partia Bashkimi Liberal Demokrat
Partia për Drejtësi dhe Integrim
Partia Lidhja Demokristiane Shqiptare
Partia Balli Kombëtar Demokrat
Partia Balli Kombëtar
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Evropian
Partia Demokracia e Re Evropiane
Partia Forca Albania
Partia e të Drejtave të Mohuara - e Re
Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare
Partia Ora e Shqipërisë