Shqipëria, anëtare e NATO-s; Oketa, vizitë në Greqi
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, nisi dje një vizitë zyrtare dyditore në Greqi, e para vizitë e tij në shtetin fqinj si ministër i një vendi anëtar i NATO-s. Zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes bëri të ditur se ministri Oketa viziton vendin fqinj me ftesë të homologut të tij, z. Evangelos Meimarakis. Në takimin mes tyre do të diskutohen marrëdhëniet mes Ministrive të Mbrojtjes së dy vendeve. Gati dy muaj pasi Shqipëria u anëtarësua me të drejta të plota në aleancën më të madhe të sigurisë në botë, në samitin jubilar të Strasburg/Kehl-it, ministri Oketa do të diskutojë me homologun e tij grek për thellimin e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve fqinje, anëtare të kësaj aleance.
Gjatë qëndrimit në Greqi, ministri Oketa do të zhvillojë një takim dhe me studentët shqiptarë të cilat ndjekin studimet ushtarake në vendin fqinj.