E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita kombëtare e përndjekurve politikë apelon: Nuk mund të sjellim përparimin duke lënë pas dore krimin

*Nga Besim NDREGJONI                                                        
Sot është një ditë e shënuar, ditë përkujtimi publik. Zyrtarisht 21 Maji quhet Dita e Kujtesës Historike për viktimat e krimeve të Komunizmi, por kësaj dite mund ti vëmë edhe të tjera emërtesa e valenca, mund ta thërrasim pa frikë ditë e krenarisë kombëtare, ditë e lirisë! Mijëra familje me vendosjen e diktaturës, nuk pyetën se çfarë çmimi ka liria, dhe kur nuk e patën atë, i lanë jetën peng dëshirës për liri. Sakrifica për liri është e shenjtë. Sot, kombi shqiptar duhej të jetë në një procesion shenjtërimi, tubime përkujtimi heronjsh e ngjarjesh, por që fatkeqësisht shohim harresë të politikës zyrtare, të institucioneve, për ta përkujtuar këtë datë, ashtu siç e meriton. Harresë e pafalshme! Vendimi i Këshillit të Ministrave, Nr 754, datë 9.11.2006, për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr 229, datë 23.4.2004 të Këshillit të Ministrave Për miratimin e ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë të ndryshuar, për herë të parë me propozim të autorit dhe përkrahjes së kryeministrit Sali Berisha e shënoi 21 Majin, ditë përkujtimore publike. Siç përcaktohet edhe në vendimin në fjalë, e siç janë rregullat zyrtare në të gjithë botën që njeh ligjin, heronjtë dhe ditët e shenjta në selinë e institucioneve shtetërore dhe private, vendosen flamuri kombëtar dhe shenjat dalluese të institucioneve apo enteve përkatëse. Në këto ditë merren masa të veçanta për zbukurimin e shesheve qendrore të qyteteve. Në nenin 7/b të vendimit në fjalë përcaktohet Në përkujtim të mijëra viktimave të pafajshme të regjimit totalitar komunist, të cilët u vranë u burgosën , u dhunuan dhe u denigruan, në mënyrë të organizuar shtetërore, për shkak se besonin në lirinë e ndërgjegjes, të pronës, lirive politike, aspironin përparim, më 21 Maj të cdo viti, do të përkujtohet Dita e kujtesës historike për viktimat e krimeve të komunizmit. Ceremonia do të organizohet nga ministria përgjegjëse, ku do të marrin pjesë personalitetet më të larta të shtetit, e ku Protokolli i Shtetit përfshihet në përgatitjen e programit dhe në ndjekjen e anës së tij protokollare. Për mazhorancën e djathtë, e cila më shumë se kushdo tjetër është e lidhur me të persekutuarit politikë dhe detyrimi ndaj tyre nuk është thjesht pragmatizëm, por logjike dialektike, kjo harresë është shenjë e mjegullimit të vetëdijes politike, kjo është harresë e rrezikshme për identitetin e së djathtës. Pas rezistencës së viteve 1944-1946, protesta e Spaçit e 21 Majit 1973 është monumenti më sublim i qëndresës dhe i vetëflijimit në emër të një besimi.! Besimit tek anti-komunizmi. Në dhjetor të vitit 1990, ata që renden të parët tek PD-ja ishin pikërisht shtresa e të persekutuarve politikë të cilët asnjëherë nuk kërkuan revansh apo hakmarrje, por dhanë një leksion historik fisnikërie dhe kërkim të drejtësisë. Krijimin e partisë së parë opozitare, atje në burgun e Burrelit, të burgosurit politikë e pritën si ditën e çlirimit të vërtetë të Shqipërisë nga regjimi i egër komunist. Madje u dërgua një promemorie në Tiranë, personalisht për zotin Sali Berisha, i cili në atë kohë, ishte i vetmi intelektual që kishte bërë përshtypje me artikujt e tij, për frymën kombëtare dhe dëshirën për ta parë Shqipërinë ndryshe nga çishte. Rruga më e natyrshme për të provuar idealet, janë provat historike. Ato nuk munguan, ndonëse u shfaqën në formë tragjike me revolucionin e 97 apo gjatë 8 viteve të vështira të opozitës dhe mbështetja që kurrë nuk i mungoi PD-së, erdhi nga pasardhësit e revoltës së Spaçit bashkohësit e saj, adhuruesit dhe pasuesit e heronjve të Spaçit, si Dervish Bejko, Skënder Daja, Pal Zefi, Hajri Pashajt, Vilson Blloshmit,Genc Lekës e Havzi Nelës, qindra mijëra të tjerëve nga platforma e tyre e mendimit dhe shoqërisë së lirë. Ne sot respektojmë me konsideratë të lartë, Mersin Vlashin, i cili pikturoi flamurin pa yllin komunist, dhe vuajti jo pak për 33 vite burg, dhe dhjetëra të tjerë që u ridënuan me dhjetëra vite burg politikë. Dhe në vitin e zi të 97 do të vritej duke mbrojtur votën e lirë në qendër të votimit, i biri i të burgosurit politik Kujtim Frangu, kjo shtresë asnjëherë nuk e ka kursyer jetën për të mbrojtur fjalën e lirë. Ne jemi të bindur, që në këtë mazhorancë jo të gjithë kanë të njëjtën ndjeshmëri, vlerësim dhe respekt ndaj tyre, por për PD-në, sot në pushtet ajo është obligim moral, politik e historik, sepse është në dinjitetin e historisë së saj, si forcë e djathtë politike apo e qendrës së djathtë të filozofisë së saj qeverisëse e elektorale. Të harrosh këtë ditë është njësoj sikur të harrosh të kaluarën diktatoriale dhe ndonëse pa dashje është një shërbim ndaj persekutorëve të djeshëm e jo të largët. Duke lënë mënjanë për pak gjykimin, për të shmangur ndonjë keqkuptim. Ne ftojmë qytetarët shqiptarë të mos harrojnë për asnjë moment se vepër e këtyre të përndjekurve e të burgosurve politik janë pafundësitë e vlera të krijuara në shoqërinë shqiptare. Lagje të tëra të kryeqytetit të Shqipërisë, por edhe të qyteteve të tjera të vendit, janë ndërtuar prej tyre në rrethimet me tela me gjemba. Janë qindra e mijëra hektarë këneta të thara me muskujt e tyre, janë miliona tonë minerale të nxjerra nga galeritë më të thella të vendit, nga të cilat ata përfitonin vetëm 400 gramë bukë dhe supën me karota, mplakjen e parakohshme dhe të sigurt. Askush nuk ka detyrim më madhor, sesa shoqëria shqiptare ndaj kësaj shtrese. Ne jemi të bindur se shpirti i shoqërisë nuk mund të prehet dhe të jetë i qetë, nuk mund të ketë drejtësi sociale të vërtetë dhe as paqe sociale pa dëmshpërblyer viktimat e një sistemi barbar, nuk mund konsolidohet liria aq e çmuar për të gjithë në rast se nuk dëmshpërblehen ish të përndjekurit e regjimit. Kemi qenë të bindur që puna e nisur në vitin 2007, për të ngritur muzeun e kujtesës antikomuniste në qytetin e Shkodrës, do të përfundonte brenda atij viti, gjithashtu edhe memoriali në nderim të persekutuarëve politikë i planifikuar në buxhetin e atij viti të MTKR-së do të realizohej po atë vit, për tu vendosur në qendër të Tiranës. Por fatkeqësisht edhe sot mbas 2 vitesh ka vetëm heshtje, kjo është e pafalshme për atë institucion që nuk kryen detyrimet ligjore ndaj kësaj shtrese. Të persekutuarit politikë janë nderi i këtij kombi, kujtesa për ta është nderim për moralin tonë politik e shoqëror harresa për ta nga institucionet zyrtare do të jetë faji i madh, harresë e pafalshme për të gjithë ne. Fakti që të gjithë të përndjekurit politikë, motrat dhe vëllezërit tanë, nuk u hodhën me urrejtje e marrëzi në fushën e hakmarrjes, tregoi pjekuri dhe moral. Pas një muaji janë zgjedhjet e përgjithshme për në organin më të lartë ligjvënës, Kuvendin e Shqipërisë. Të përndjekurit politikë si pjesë e shoqëriëe me një kapital moral shumë të çmuar, i vlerësojnë si një eveniment historiko-shoqëror. Duke pasur një qëndresë stoike kundër diktaturës gjatë këtyre 18 viteve ka dhënë kontributin e saj të pamohueshëm duke i vlerësuar lirinë dhe votën si të shenjta, të paprekshme dhe gjithpërfshirëse. Ne i propozuam koalicionit të mazhorancës aktuale, figura me potenciale morale, politike dhe profesionale nga shtresa jonë, që politika të bënte ndryshimin e madh. Shtresa jonë me 400 000 votues të përfaqësohej në Kuvendin e Shqipërisë. Fatkeqësisht ky propozim u prit me një fodullëk politik aspak demokratik, kombinuar me mentalitet komunist. Ne sot edhe një herë i drejtohemi politikës që pa përfaqësimin tonë, pa këtë kapitalin moral që ne kemi, nuk mund të ndërtojmë demokracinë. Pavarësisht kësaj heshtjeje, ne do të vazhdojmë të manifestojmë kulturë, traditë dhe moralin tonë në shërbim të ndërtimit të shoqërisë demokratike. Ky manifestim i fuqishëm moral nga ana e ish të përndjekurve politik, ka krijuar një superioritet moral e politikë që nuk do të shuhet kurrë, dhe do të çmohet kurdoherë. Fakti, që ne sot përbuzemi nga oportunistët e klasës së dështuar politike dhe të institucioneve të dështueshme të shoqërisë civile në Shqipëri nuk e ndryshon balancën. Prandaj, kërkesat tona marrin një karakter imponues dhe fitojnë një urgjencë që duhet të prek çdo ndërgjegje të pastër shqiptare. Shqipëria

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›