Rruga Durrës-Kukës, në fund të qershorit përfundon puna
Më mesin e majit përfundon tuneli
Nis asfaltimi përgjatë rrugës
Rruga Durrës-Kukës, veçanërisht në segmentin më të vështirë të saj, Rrëshen-Kalimash, është drejt përfundimit të saj. Drejtuesit më të lartë të kompanisë “Bechtel-Enka”, të cilët po ndërtojnë rrugën, bënë të ditur se në fundin e muajit qershor, kur është edhe afati, rruga do të jetë gati. Aktualisht rruga ka nisur asfaltimin, si dhe po punohet në metrat e fundit të tunelit prej 6 kilometrash. Kështu bëhet e ditur se në ditët e para të muajit korrik, shqiptarët do të kenë mundësi të udhëtojnë në autostradën më të veçantë në Ballkan, me tunelin më të gjatë dhe në segmentin me më shumë ura, rreth 27 të tilla. Nga ana tjetër, pamja e rrallë, si dhe muri rrethues i rrugës, janë nga më të veçantët, për shkak të terrenit të vështirë. Sipas drejtuesve të kompanisë, nuk kanë mbetur më shumë se 300 metra nga gërmimi në tunel, ndërsa thonë se në mesin e muajit maj, me këto ritme pune, të dy tunelet do të kenë përfunduar. Në rrugën Durrës-Kukës-Morinë, aksi Rrëshen-Kalimash është ai që ka numrin më të madh të urave. Në shumë prej tyre punimet kanë mbaruar, konkretisht 24 ura, ndërkohë që kanë mbetur vetëm 3, ndërsa vazhdojnë punimet me intensitet për urat e tjera. Kompania “Bechtel-Enka” po punon në të gjithë gjatësinë e rrugës, 60 km. Deri tani nga 2 impiante janë prodhuar të gjithë trarët e domosdoshëm për urat, që pothuajse janë vendosur të gjithë mbi ura. Pjesa më e madhe e urave ka përfunduar dhe ato tashmë përdoren nga mjetet e kompanisë për të lehtësuar trafikun. Deri tani janë gërmuar mbi 25 milionë metër kub material, duke përdorur 9 milionë metër kub material mbushës, si dhe janë vendosur 151.000 metra kub struktura betoni. Më 24 shtator ka përfunduar asfaltimi në një seksion prove, në afërsi të portalit verior të tunelit. Mbas testeve të nevojshme të kryera, BEJV ka vazhduar asfaltimin në seksionin 3 (nga portali verior i tunelit deri në Kalimash) të projektit. Në të njëjtën kohë, BEJV po punon njëkohësisht në të dy tunelet, në të dyja hyrjet veri dhe jug paralelisht. Për të arritur një progres të tillë punimesh, po përdoren rreth 1300 makineri të tipave të ndryshëm. Në pajisjet e mëdha përfshihen dy nyje asfalti (një në Klos dhe një në Kukës), 5 sonda për të hapur tunelet, dy lançera për trarët e urave, 2 impiante të prodhimit të trarëve të paranderur të urave, 6 nyje betoni, dy gurore, 6 vinça të lartësive dhe peshave të mëdha, 380 kamionë, 92 ekskavatorë. Aktualisht janë 3.700 punëtorë që punojnë në projekt.