Rruga Mat-Mirditë, diskutohet projekti
MAT - Një lajm i mirë vjen për banorët e rretheve Mat e Mirditë. Të shtunën, në prani të autoriteteve vendore të Mirditës e Burrelit, është diskutuar në këshillin teknik të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, projekti i rrugës Rrëshen-Perlat-Urakë-Shoshaj-Klos i Matit, ndarë në tri lote. Eshtë një investim i marrë përsipër për t’u investuar nga FZHSH, ndërkaq kompanitë projektuese kanë shpallur disa variante e ku përgjithësisht është rënë dakord të jetë gjurma e rrugës së vjetër të Mbretit Zog, me pak ndryshime. Ky aks i ri nacional pritet me shumë interes nga banorët e rretheve Mirditë e Mat dhe sjell një zhvillim të ri. Kjo rrugë e re u jep mundësi të mëdha zhvillimi zonave të krahut tjetër të Kthellës dhe Selitës si dhe atyre të Matit, për të rikuperuar lidhjet e vjetra tradicionale ndërsa afron Burrelin, Bulqizën, Dibrën dhe Maqedoninë me rajonin tjetër të vendit. Kjo rrugë do të lidhë Rrugën e Kukësit me atë të Arbrit. Po bëhen përpjekje që lidhja të fillojë që tek autostrada, për të kaluar nëpër Rrëshen dhe kjo ishte pika e kontestuar në këtë diskutim nga autoritetet vendore të Rrëshenit gjatë diskutimit të projektit në këshillin konsultativ. Kjo pasi projekti nuk e merrte parasysh kërkesën e bërë prej kohësh për këtë vijëdrejtim. h.p