E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, dështon hetimi për pedagogët nën përgjim



ELBASAN/ ALDO KOZARIA

Dështon përgjimi për 15 pedagogë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, të dyshuar për marrje ryshfeti në këmbim të notave kaluese. Sipas kryeprokurorit të Elbasanit, Elvin Gokaj, kjo ka ndodhur për shkak të dekonspirimit nga gjykata, aty ku ishin dërguar urdhrat për nisjen e përgjimit për emra konkretë të stafit akademik.
Prokurori Gokaj shprehet se gjatë 3-mujorit të fundit, sidomos në pikun e sezonit të provimeve, nisur nga informacionet dhe marrja e denoncimeve nga ana e studentëve të universitet është vendosur nisja e hetimit. Në bashkëpunim me drejtorinë e Policisë në Elbasan dhe me Policinë e Shtetit, u vendosën në përgjim një numër i madh pedagogësh, të cilët dyshohet se shpërdorojnë detyrën duke vendosur nota kaluese në këmbim të parave. Shumat që kërkohen për një provim variojnë nga 10 mijë në 30 mijë lekë. Sipas prokurorisë, pedagogët janë mbajtur nën vëzhgim për një periudhë më shumë se 60 ditë, por nuk është vendosur që të ketë të shoqëruar apo të ndaluar për akuzën e korrupsionit në universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Siç mësohet prokuroria ka vendosur të nisë hetimet pasi disa studentë janë ankuar pranë këtij organi duke përmendur edhe emrat e sekserëve që veprojnë brenda dhe jashtë universitetit. “Por, me gjithë dyshimet për korrupsionin në universitet hetimet dështuan. Dyshojmë se kjo ka ndodhur për shkak të dekonspirimit gjatë kohës së dërgimit të dosjeve për përgjim në gjykatë”, deklaron prokurori, duke hedhur akuzat e tij ndaj përfaqësuesve të gjykatës. Ai shton se dyshimet për ta lindin pasi dhe më parë, me gjyqtarë të Elbasanit, prokuroria ka hasur në kundërshti, për dosje të ndryshme penale. Në lidhje me dosjen, e cila tashmë është depozituar me incizime pa vlerë në arkivin e prokurorisë, pritet që hetimet të vijojnë në një tjetër moment, ndërsa prokurori i rrethit ka pohuar se në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Elbasan, procesi i dhënies së provimeve pranë universitetit “Aleksandër Xhuvani” po mbahet nën mbikëqyrje të plotë. Qëllimi është zbutja në maksimum i fenomenit të mitmarrjes nga stafi akademik i universitetit të Elbasanit. Nga informacionet që japin studentët apo të afërm të tyre, fakte këto që pritet të verifikohen nga Prokuroria e rrethit, për të marrë një provim studenti duhet të paguajë nga 10 mijë deri në 30 mijë. Fakultetet ku mendohet të jenë shtrirë hetimet janë ai Ekonomik, Cikli i Ulët dhe Parashkollor, Matematikë-Fizika, Shkencat e Edukimit, Punë Sociale, etj. Prokurori i Elbasanit thotë se nëse hetimet e mëtejshme do të dështojnë do të kërkohet bashkëpunim i ngushtë me universitetin, drejtuesit e të cilit do t’i vendosin hetuesve tezat e provimit të studentëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›