Rruga Shëngjin-Kune vazhdon të mbetet e pakalueshme

Rruga Shengjin-Kune / Foto arkiv
Rruga Shëngjin-Kune shpesh herë ka qenë në fokus të kronikave televizive, për shkak të amortizimit tërësor të saj. I gjithë segmenti Shëngjin-Kune është i pakalueshëm, për shkak se ai tashmë është shndërruar në pellgje ujëmbledhëse, duke bërë të pamundur si lëvizjen e këmbësorëve, ashtu edhe të automjeteve, të cilët duhet të zgjedhin brezin e rërës për të lëvizur.
Gjatë një vëzhgimi të bërë, konstatohet se gjendja është përkeqësuar edhe më tepër, si rezultat i reshjeve të fundit, ku pellgjet e ujit vazhdojnë të jenë ende të mbushura, duke vështirësuar edhe lëvizjen e këmbësorëve dhe të automjeteve, pavarësisht mungesës së reshjeve ditët e fundit.
Me problemin e amortizimit të kësaj rruge gjatë sezonit turistik janë përballur pushuesit dhe bizneset, ndërsa për banorët e Kunes, kjo rrugë është problematike në çdo stinë. Ka 20 vite që është premtuar ndërtimi i rrugës, por ende nuk ka nisur zbatimi i projektit.
Në muajin janar, burime nga Komuna e Shëngjinit deklaruan se ka përfunduar projekti dhe tenderi pritet të bëhet brenda muajit shkurt, ndërsa punimet të nisin në muajin mars dhe faza e parë të përfundojë në fillim të muajit qershor. Sipas të njëjtave burime, për këtë rrugë nga qeveria shqiptare si edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të investohen 4 milionë euro.
Por, realisht as në muajin mars nuk kanë nisur punimet. Gjithashtu, në një takim për turizmin, të zhvilluar në muajin shkurt, kryetari i komunës deklaroi se punimet do të nisin brenda muajit prill. Kanë kaluar me tepër se 48 orë nga përfundimi i muajit prill dhe ende nuk ka asnjë gjurmë për fillimin e punimeve në rrugën e Kunes, ndërkohë që ajo vazhdon të jetë në të njëjtën gjendje.
Në rast se punimet do të nisin këto ditë, do të rrezikohet sezoni turistik në zonën e Kunes, e cila mund të kthehet në një kantier ndërtimi.
Një projekt i tillë duhet të përfundojë brenda muajit maj, për të mos penguar sezonin turistik, por duket se nisja e investimeve në prag të sezonit në zonën e Shëngjinit është lënë në mënyrë të qëllimshme, për ta shndërruar Shëngjinin në një kantier ndërtimi dhe gërmadhë të ndërtimeve që po shemben nga aksioni i ndërtimorëve përgjatë vijës bregdetare.
Sipas deklaratave të mëparshme të Komunës së Shëngjinit, ky aksion duhet të kishte përfunduar brenda muajit mars, për të pasur më pas kohë për zhvendosjen e mbetjeve përpara nisjes së sezonit turistik. / Lindita Kokaj