E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga Tirane-Elbasan pritet te perfundoje ne fund te vitit

Firmat kontratuese për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan janë duke punuar me ritme shumë më të shpejta, se ato të fiksuara në kontratë. Kjo ka bërë që punimet të përparojnë sot duke parashikuar që të përfundojnë totalisht në fund të këtij viti. Në bazë të kontratës, ishte parashikuar që punimet në tunel të përfundonin në maj të vitit 2013.
Kredia e fundit për ndërtimin e kësaj rruge, u miratua me konsensus të plotë nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë e Financave. Kjo kredi nënshkruhet me fondin e OPEC-ut dhe përmbyll shumën totale prej 293 milionë dollarë.
I pranishëm në komision, zëvendësministri i Transportit, Ernest Noka deklaroi se rruga pritet të përfundojë totalisht në mes të vitit të ardhshëm.
Gjithashtu sipas përfaqësuesit të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugës përpshpejtimi i punimeve i dedikohet përvojës së kompanisë KOPER, e cila është në bashkëpunim me firmën kryesore ndërtuese AKTOR. Sipas tij, kjo firmë e njeh terrenin, pasi ka përvojë në punimet e tunelit të Rrëshen-Kalimashit.
Komisioni i Ekonomisë miratoi gjithashtu me konsensus të palëve politike marrëveshjen për marrjen e një kredie për të siguruar digat e hidrocentralit të Komanit. Sipas përfaqësuesve të ministrisë së Ekonomisë, një investim i plotë në diga do të çojë në sigurinë e tyre, por edhe në rritjen e prodhimit të energjisë, pasi në këtë formë do të rehabilitohen pajisjet.
Kredia për sigurinë e digave, e cila nënshkruhet me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim kap një vlerë prej 15.5 milionë euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›