E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli jep “në arrest shtëpie” për mjekun Kastriot Dautaj



Luan Kondi

TIRANË - Mjeku urolog Kastriot Dautaj, i arrestuar dy javë më parë nën akuzën e korrupsionit, ka lënë sot qelinë, për t’u hetuar nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Gjykata e Apelit në Tiranë ka ndryshuar dje masën e sigurisë “arrest me burg” dhënë nga gjykata e shkallës së parë në Tiranë. Pas kërkesës së bërë nga vetë i pandehuri dhe avokati i tij mbrojtës, Gjykata e Apelit ka vendosur të zbusë masën e sigurisë për të akuzuarin, me pretendimin se vepra për të cilën ai akuzohet nuk përbën rrezikshmëri shoqërore.
Arrestimi
Kastriot Dautaj, mjek urolog në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë u arrestua dy javë me parë, në kushtet e flagrancës, pas gjashtë muaj përgjime. Atij iu hodhën prangat në repartin e URL,-së menjëherë sapo doli nga operacioni. Në xhep atij iu gjetën 50 mijë lekë, për të cilat mjeku akuzohet se i kishte marrë nga familjarët e një pacienteje pas operimit. Një telefonatë në numrin 129 do të rezultonte fatale për mjekun e njohur. Menjëherë pas saj janë vënë në lëvizje uniformat policore, të cilat në bashkëpunim me njësinë Task Force ka arrestuar në flagrancë mjekun kirurg, me akuzën për marrje ryshfeti kundrejt operacioneve që kryente. “Kastriot Dautaj 66-vjeç, që mbante gradën shkencore të Profesorit, njëkohësisht edhe pedagog i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës është arrestuar”, - thuhej atëherë në deklaratën për shtyp të Policisë së Shtetit. Duke iu referuar deklaratës prangosja e mjekut u bë në kuadrin e operacionit “Veshka e humbur”. Kastriot Dautaj 66-vjeç, kirurgu-urolog në spitalin nr. 2 pranë QSUT-së u arrestua pasi nga hetimet e bëra rezultoi se merrte para nga pacientët e tij për operacionet që kryente. Nga hetimet paraprake, të cilat kanë nisur disa muaj më parë, ka rezultuar se ky person ka arritur të përftojë shumën 50 mijë lekë për një operacion.
Akuza
Dautajt iu sekuestruan shuma prej 50 mijë lekësh, si dhe mijëra dollarë të depozituar në një llogari bankare me emrin e tij, të cilat dyshohen të jenë përfituar nga veprimet korruptive. Hetimi i kësaj çështje kishte filluar disa muaj para arrestimit dhe janë vërtetuar shumë raste ku kirurgu u merrte para pacientëve për çdo operacion që kryente. Shumë prej pacientëve që paraqiteshin në këtë spital, pasi kontaktonin këtë mjek, ai u sugjeronte të paraqiteshin në dy klinika private në të cilat ishte i punësuar në punë të dytë, kundrejt përfitimeve të paligjshme. Mbi mjekun me titull doktor profesor rëndon akuza për veprat penale të “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, “shpërdorim detyre” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.

29 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›