E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve



Të moshuarit do të jenë kryefjala e ditës së sotme në mbarë botën. Mosha e tretë në të gjithë globin do të festojnë sot Ditën Ndërkombëtare të saj. Ministria e Punës në bashkëpunim me Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë dhe Shërbimin Social Shtetëror, me rastin e 1 Tetorit, Ditës Ndërkombëtare e Moshës së Tretë, do të përurojnë godinën e rikonstruktuar të Shtëpisë së të Moshuarve në Tiranë. Ceremonia e përurimit do të zhvillohet të mërkurën, në orën 11.00, në vetë ambientet e këtij institucioni. Në aktivitetin me logo “Për një shoqëri pa moshë“, janë ftuar të marrin pjesë përfaqësues të shtetit dhe qeverisë, drejtues të ministrisë dhe drejtorive që implementojnë politikat, drejtues të institucioneve të përkujdesit social, përfaqësues të shoqërisë civile dhe OJF-ve që operojnë në fushën e shërbimeve për këtë grupmoshë, etj. Pas pritjes së të ftuarve në institucion dhe përurimit të godinës, drejtoria e Shtëpisë së të moshuarve, e përfaqësuar nga Resul Domi, do të shtrojë një drekë festive për klientët e saj , në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë. Gjithashtu, edhe në Qendrën Polivalente Ditore, Kamëz, Drejtoria e qendrës, e përfaqësuar nga drejtori Hysen Gjyli, ka parashikuar të përkujtojë, 1 Tetorin, nëpërmjet aktiviteteve sensibilizuese. Në ambientet e Qendrës do të zhvillohet një pritje për personalitetet e shtetit dhe qeverisë, si dhe do të organizohet një drekë festive për klientët dhe të ftuarit. 1 Tetori, me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, është shpallur si Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve. Në kuadër të kësaj dite shtete të ndryshme do zbatojnë programe, të cilat synojnë evidentimin dhe trajtimin e problemeve të moshës së tretë.

1 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›