Rruga e Kombit drejt përfundimit, entuziazëm edhe për 38 km e para në Kosovë

Kryeministrat Berisha e Thaçi, presidentja Jahjaga si dhe kongresmeni Engëll inauguruan 38 kilometrat e para të autostradës “Ibrahim Rugova”, pjesë e Rrugës së Kombit.
Berisha: Autostrada Ibrahim Rugova bashkon shqiptarët më shumë se kurrë në idealin e unitetit të tyre kombëtar
Në Vërmicë, afër kufirit me Shqipërinë, u zhvillua dje në mesditë ceremonia inauguruese e hapjes së 38 kilometrave të para të autostradës kosovare, në vazhdimin e Rrugës së Kombit, nga Durrësi në Morinë. Kosova dhe Shqipëria, me pjesëmarrje të personaliteteve të larta dhe popullit nga të dy anët e kufirit, festuan së bashku inaugurimin e parë në ndërtimin e autostradës kosovare të filluar më 25 prill të vitit të kaluar, e cila afron edhe më shumë Tiranën e Prishtinën.
Në Rrugën e Kombit, gjithnjë, si në festën e madhe të gjithë shqiptarëve në Kalimash në majin 2009 në Shqipëri, po ashtu si në festën e prillit të vitit të kaluar edhe dje në Vërmicë, në Kosovë, së bashku ishin kryeministri shqiptar, Sali Berisha dhe kryeministri kosovar, Hashim Thaçi. Ishin dhe përgëzuan me fjalimet e tyre inkurajuese për këtë vepër madhore edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kongresisti amerikan Eliot Engel, ambasadori i SHBA në Kosovë, Christopher Dell, mes mijëra njerëzve në festë.
Ndërtimi i autostradës moderne të standardeve të larta perëndimore, nga rrethinat e Prizrenit, do të vazhdojë drejt Prishtinës e Merdares dhe për vitin e ardhshëm nga buxheti i Kosovës janë ndarë edhe 296 milionë euro, ndërsa ndërtimi i deritashëm ka kushtuar 330 milionë. Autostrada kosovare, e cila me propozimin e qeverisë ka marrë emrin e Presidentit historik Ibrahim Rugova, sipas projektit do kalojë gjithë vendin nga Vërmica në kufirin me Shqipërinë në Merdar-kufiri me Serbinë, në vazhdimin e Rrugës së Kombit të ndërtuar nga qeveria shqiptare, nga bregdeti duke çarë malet e shkëmbinjtë drejt Kosovës. Autostrada Vërmicë-Merdare, vazhdimi i autostradës Durrës-Kukës-Morin, shtrihet në një gjatësi prej 117 kilometra, një investim prej 700 milion eurosh, ndërkohë që ndërtimi i të gjithë autostradës parashikohet të përfundojë brenda 36 muajsh. Për ndërtimin e 38 kilometrave të parë u ndërtuan 10 ura, 15 mbikalime, 6 nënkalime, u kryen 6 milionë metra kub gërmime, 377 000 metra kub asfalt etj. Përfundimi i kësaj vepre do të shoqërohet me fillimin e punimeve për ndërtimin e një tjetër vepre, autostradës nga Prishtina në Ferizaj –Kaçanik e në Maqedoni. Dy vite më parë, Shqipëria përfundoi tërësisht pjesën e saj, të autostradës Durrës – Kukës – Morinë. Falë vullnetit dhe zotimit të dy kryeministrave Berisha dhe Thaçi, në pak vite u bë realitet një vepër që për shekuj dhe dekada me radhë, ishte thjesht një utopi.
Kryeministri Berisha: Rruga bashkon shqiptarët më shumë se kurrë në idealin e unitetit kombëtar
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje gjatë ceremonisë së inaugurimit të segmentit të parë të autostradës Morinë – Merdare, pjesë e arteries infrastrukturore të “Rrugës së Kombit”, e cila prej ditës së djeshme është pagëzuar si autostrada Ibrahim Rugova, Durrës – Morinë – Prishtinë, se “kjo rrugë bashkon shqiptarët në idealin e unitetit kombëtar”. Berisha u bashkua në Vermicë (rreth një kilometër nga pika kufitare e Morinës), me Presidenten e Kosovës, zonjën Atifete Jahjaga, Kryeministrin Hashim Thaçi, kongresmenin amerikan Eliot Engel dhe së bashku prenë shiritin e inaugurimit të përfundimit të 38 kilometrave të para të kësaj autostradës prej 103 kilometra. Kryeministri përshëndeti të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe mbarë shqiptarët, për inaugurimin e kësaj rruge, duke e cilësuar atë “autostrada e së ardhmes së Kosovës”, një rrugë që “bashkon shqiptarët më shumë se kurrë në idealin e unitetit kombëtar” dhe “korridori më fizibël për të gjithë rajonin. Sot, me ne këtu, në Vermicë është mbarë kombi shqiptar, janë shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri, Maqedoni, Malin e zi, në diasporë e kudo që janë. Sot, ata gëzojnë së bashku me ne, inaugurimin në Kosovën e lirë e të pavarur, të kësaj rruge madhështore, të kësaj autostrade që bashkon shqiptarët më shumë se kurrë në idealin e unitetit kombëtar, në idealin e Prizrenit, në idealin e pavdekshëm të grave e burrave që sakrifikuan e derdhën lumenj gjaku në kryengritjet e tyre të mëdha për të bërë Shqipërinë e pavarur, në idealin e atyre që sakrifikuan e derdhën lumenj gjaku për të bërë Kosovën të lirë e të pavarur, në nderimin më të madh të arkitektit të Kosovës së pavarur, burrit mendjendritur të kombit shqiptar Prof. Dr. Ibrahim Rugovës”, u shpreh kryeministri Berisha.
Ai theksoi se “në më pak se tre vjet, Kosova i dhuron qytetarëve të saj, kombit, por edhe rajonit dhe Europës në tërësi një kryevepër të punëve publike. Në Tiranë, një mik i imi do të më thoshte se kishte kaluar në autostradë dhe i ishte dukur sikur ishte në një dhomë pritjeje, por, në të vërtetë, ishte në dhomën e së ardhmes. Autostrada që ndërtohet është autostrada e së ardhmes së Kosovës. Ndaj unë dua të përshëndes shumë përzemërsisht Kryeministrin, qeverinë, parlamentin, forcat politike të Kosovës, të gjithë, për sakrificën e madhe që bënë. Në një kohë të vështirë angazhuan të gjitha resurset, për të ndërtuar rrugën më të rëndësishme për Kosovën, Shqipërinë, por, absolutisht, edhe korridorin më fizibël për të gjithë rajonin”, tha ai.
Sipas kryeministrit Berisha autostrada shënon një cikël të ri social dhe ekonomik për Kosovën. Ai e cilësoi autostradën e Kosovës si kontribut për paqen, stabilitetin dhe integrimin rajonal.
“Kjo është një rrugë me domethënie të madhe. Ajo shënon një agim të ri të vërtetë politik, ekonomik, social për Kosovën. Është rruga me të cilën Republika e Kosovës kontribuon për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal. Është rruga me të cilën Republika e Kosovës investon për të ardhmen e shkëlqyer europiane të qytetarëve të saj. Është rruga e zhvillimit të shpejtë të Kosovës, e fluksit të pashtershëm të energjisë së tregut të saj drejt perëndimit. Është rruga e sigurisë më të madhe të udhëtimit të qytetarëve të saj. Nuk ka këngë që mund të thurej më bukur se ç’është rruga, nuk ka poemë që mund të shprehte madhështinë e saj. Ndaj, unë nuk do të vazhdoj më me fjalët e mia, se jam i bindur se më bukur se çdo gjë tjetër flet ajo vetë, vetëm t’u uroj edhe një herë nga zemra gëzuar këtë vepër të madhe, qytetarëve të Kosovës, shqiptarëve kudo që janë”, deklaroi më tej Berisha.
Kjo autostradë është quajtur “Ibrahim Rugova”, në nderim të Presidentit Rugova, të cilin Kryeministri Berisha, në fjalën e tij, e quajti “arkitekt të Kosovës së pavarur”.
Hashim Thaçi: Kjo, autostrada e Kosovës Evropiane, projekti i vullnetit të qytetarëve dhe vizionit tonë politik
“Autostrada Vërmicë – Merdare është projekti më i madh dhe më modern ndërtimor në historinë e Kosovës”. Kështu u shpreh dje kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në ceremoninë e përurimit të 38 kilometrave të para të vazhdimit të Rrugës së Kombit në Kosovë, nga kufiri me Shqipërinë drejt Prizrenit e Prishtinës. “Ky është projekti i Kosovës së re, i Kosovës Evropiane, projekti i vullnetit të qytetarëve dhe vizionit politik të shtetit tonë. Autostrada është civilizim dhe emancipim, që ndan përjetësisht epokat, botën e re nga e vjetra, është projekt i shekullit të ri, i lirisë, pavarësisë dhe integrimit, i brezit dhe mentalitet të ri mirë qeverisës. Është projekti i evropianëve të rinj, projekt që hap dhe demokratizon kufij, që thyen barrierat e së kaluarës, dhe hap horizontin e së ardhmes”, u shpreh kryeministri Thaçi. Sipas tij, kjo është autostrada më moderne në rajon, ndërsa vlerësoi se punimet e këtij segmenti janë mbyllur me afat rekord. Ai solli në vëmendje se kjo rrugë ka rëndësi të veçantë jo vetëm për qytetarët e Kosovës, për shtetin e Kosovës dhe për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin. “Kjo autostradë paraqet projektin më madhor në historinë e Kosovës, një investim strategjik për zhvillimin infrastrukturor dhe ekonomik të vendit. Ky është një projekt integrues, që do t’u ofrojë mundësitë më të mira për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe kapitalit”, deklaroi kryeministri i Kosovës. Thaçi përkujtoi se “ka kaluar një dekadë që kur kemi lënë mbrapa nesh telat me gjemba, kufijtë e frikshëm, kalimet e ndaluara dhe dëbimet e dhunshme. Lamë mbrapa historinë e padrejtë, kufijtë që ndanin. Pra, për këtë ditë është bërë luftë e drejtë dhe çlirimtare. Për këtë ditë janë çarë shkëmbinj e shembur bjeshkë. Vetëm që njëherë e përgjithmonë prapa nesh të mbesin robëria dhe izolimi”- shtoi ai dhe theksoi se “pa lirinë e Kosovës ky projekt nuk do të jetësohej. Sot ëndrra po bëhet realitet. Prandaj, të gjithë i gëzohemi natyrshëm kësaj autostrade, ashtu si i gëzohemi lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Përmes saj do të përpiqemi ta zëmë kohën e humbur dhe ta korrigjojmë padrejtësinë dhe prapambetjen shekullore”, tha Thaçi.
Ai shtoi se 38 kilometërshi i autostradës, e gjen Kosovën shtet të njohur nga 85 vende të botës. “Kosova e pavarur dhe demokratike ka perspektivë të qartë dhe po hyn e sigurt në etapën e modernizimit. Ne që kemi besuar në projektin madhor të çlirimit të Kosovës dhe të pavarësisë së saj, do të jemi këmbëngulës edhe në realizimin e projektit të tretë madhor, atë të integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike”, tha më tej kryeministri Hashim Thaçi.