Rruga e lotëve

Pamja nga automjeti është e jashtëzakonshme: maje të mbuluara me borë, pyje me ngjyra të vjeshtës, pranë rrugës një liqe malor.
Sa më thellë që hyjmë në këtë idilë, aq më i keq bëhet disponimi i vozitëses tonë, Gladys Radek.
Ajo ka lindur para 56 viteve në rezervatin e indianëve Gitsegukla, në British Columbia, por ajo nuk e ndien vetën mirë në Highway 16, në “Rrugën e lotëve”.
“Së tepërmi fantazma”, thotë ajo.
Fantazmat janë femrat, të cilat janë zhdukur pa gjurmë përgjatë 700 kilometrave të kësaj rruge. Sipas të dhënave zyrtare të policisë bëhet fjalë për 18 femra, 17 prej të cilave indiane. Megjithatë, organizata Amnesty International thotë se numri i femrave të zhdukura është shumë më i madh dhe policia deri me tani nuk ka zgjidhur asnjë rast të vetëm.
Gladys Radekun kjo nuk e befason aspak. Ajo flet nga përvoja, ngase është kryetare e organizatës “Femrat e zhdukura dhe të vrara”. Organizata e saj vlerëson se në Kanada ka së paku 500 femra të zhdukura dhe të vrara.
Jeta e një indiane nuk ka vlerë këtu në veriun e largët të Kanadasë, rreth 200 kilometra larg Alaskës. Për Gladysin është e qartë: femrat janë kapur në shtegun mes rezervatit dhe kampeve të zdrukthëtarëve, më pas janë dhunuar, janë vrarë dhe më pas janë hedhur skaj rrugës.
Në Prince Rupert “Rruga e lotëve” puqet me Gjirin e Alaskës. Këtu punojnë disa kafe, në të cilat e kalojnë kohën indianët e papunë. Fabrikat e peshkut, nga të cilat qyteti ka jetuar dikur, janë mbyllur pothuajse të gjitha. Konkurrenca nga Japonia ishte tejet e fuqishme.
Gladys Radek është e shqetësuar, asaj nuk i pëlqen ky vend. Këtu, në hyrje të Highway 16 para pesë viteve është zhdukur mbesa e saj, Tamara. Ajo kishte vetëm 18 vjet. Një fantazmë.
Vicki Hill tërë jetën e saj e ka kaluar në Prince Rupert. Ajo me vete ka sjellë disa artikuj të gazetave. Është kjo e tëra që i ka mbetur nga nëna e saj, gjurmët e së cilës humbën në “Rrugën e lotëve”, më 26 mars të vitit 1978.
Në fotografinë e një artikulli mund të shihet një indiane e re dhe e bukur. Ri ditë pas zhdukjes së saj në Rupert, kufoma e saj u gjet 30 kilometra larg qytetit, lakuriq, e hedhur skaj rrugës.
“Kallje e mushkërive”, shkruan në certifikatën e saj të vdekjes. Por rreshti i fundit në dokument bie ndesh me këtë përfundim. “E vrarë”, shkruan aty. Megjithatë, hetime për këtë rast nuk ka pasur.
Kush e ka gjetur kufomën? Kush e ka lëshuar certifikatën kundërthënëse? Pse nuk janë zhvilluar hetime? Vicky Hill kërkon përgjigje. Ajo dëshiron të lirohet nga ndjenja se të gjithë njerëzit, të cilët i takon në rrugët e Rupertit, mund të jenë vrasës të nënës së saj. Por ajo po has në një mur të heshtjes.
Në Vancouver jeton detektivi privat, Ray Michalko. Ai dikur ishte pjesëtar i Royal Mountie, polic i Kanadasë. Para gjashtë viteve, Royal Mountie kishte formuar një Komision për Highway 16. 11 milionë dollarë u investuan, për të zbardhur vrasjet. Pa sukses.
Michalko nuk befasohet.
“Ata kanë ulur 50 persona para kompjuterëve dhe shpresojnë se do të zbulojnë vrasësin masiv”. Hulumtohen të dhënat, profilet, por vetëm një gjë nuk bëhet, thotë Michalko-punë zbuluese. Ai nuk ishte në gjendje ta duronte më këtë. Për këtë arsye, ai tani zhvillon vetë hetimet. Michalko dyshon se Komisioni është i interesuar që të arrijë rezultate serioze. Çdo rezultat serioz vetëm sa do të nxiste pyetje të pakëndshme.
Si në procesin kundër Robert Pickton, i cili në vitin 2007 u dënua me burg të përjetshëm në Vancouver. Kur policët bastisën fermën e tij në afërsi të Vancouverit, në kërkim të armëve, ata zbuluan rrobat e një prostitute të zhdukur indiane. Më pas, policia në fermë zbuloi mbetjet mortore të 27 femrave, ndërsa Picton pranoi se kishte vrarë 49 femra.
Ai kishte bërë xhirime pornografike, e më pas kishte vrarë viktimat. Procesi nxiti pyetje për punën e policisë dhe të drejtësisë: si ishte e mundur që ai të mos zbulohej për një kohë aq të gjatë? Pse nuk janë kërkuar femrat e zhdukura?
Shkojmë në rezervatin, në të cilin jeton nëna e Gladysit. Është gati mrekulli se si Gladys i ka shpëtuar fatit të femrave tjera indiane në “Rrugën e lotëve”. Prindërit e saj ishin pothuajse gjithmonë të dehur. Kur vëllai i saj i vogël vdiq nga uria, prindërit e saj ishin në bar duke pirë. Gladys kishte vetëm pesë vjet. Më pas, autoritetet e larguan atë nga prindërit e saj.
E dërguan në një familje, e cila nuk u kujdes për Gladysin në mënyrën, se si do të kishte dëshiruar ajo. I ati adoptues filloi ta dhunojë në moshën tetëvjeçare. Në moshën 13 vjeçare, ajo mori guximin dhe e lajmëroi atë në policinë e rezervatit. Por policia nuk ndërmori asgjë. Më pas, ajo u arratis.
Gladys shumë lehtë ka mundur të jetë një nga femrat e zhdukura të “Rrugës së lotëve”. Por ajo mbijetoi, shkoi në Vancouver dhe rriti pesë fëmijë.
“Dikush duhet të ngritë zërin për familjet, të cilat nuk dinë se çfarë ka ndodhur me vajzat e tyre”, përfundon Gladys.