E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ata të pushtetit politiko-ekonomik dhe Ne të hiçmosgjë-së!

Nga Genc LLAKAJ
Ndërsa meditoj për problemet e mia familjare, natyrshëm si çdo shqiptar, një fluks mendimesh të çorientuara me vijnë në mendje lidhur me jetën në Tiranë. Çfarë ka ndodhur? Ja pra, do të mundohem të letërshkruaj atë çka më shqetëson dhe për më tepër se kaq, të përpiqem për të radhitur sipas një logjike të ftohtë atë që, normalisht mendoj se mundon çdo qytetar. Çtë mos shqetësohesh kur në dritën e diellit, aty në semaforin e parë, një fëmijë 5 a 6 vjeç me sytë e brishtë e buzët e mpita (faleminderit të madhit Migjen), të lëmoshkërkon njëzet a më pak qindarka. Pak më tutje, në një tjetër semafor, një nënë me një fëmijë në krah përpiqet të të lajë xhamin e makinës dhe pret shpërblimin prej njëqind a dyqind lekësh. Dhe ja kontrasti çmendarak: te ish-blloku mëson se, ai ose edhe ai atje, lokal luksoz, është i atij, i asaj ose i atyre. Të gjithë janë në dijeni se ai që ka Coca-colën, ai që ka Pepsin, ai që ka Marlboron, ai që ka një fabrikë të madhe vaji është i njëjti njeri që ka në pronësi parajsën te ish-blloku. Habitesh, turfullon, por njëkohësisht ti dhe unë ndihemi krenar kur shohim që në atdheun tonë ka edhe miliarderë!!! Por, për atë që logjika a shpirti, të themi i bënë derman, ka edhe një pyetje tjetër lidhur me ata fëmijët e semaforit. Çtë ketë ndodhur vallë që ata të semaforit të jenë për vdekje dhe ata të bllokut midis qiejve dhe parajsës? Ja pra, kjo është Tirana, e për fat të keq, e gjithë  Shqipëria. Është e gjitha kështu sepse edhe në Vlorë edhe në Sarandë madje edhe në Shkodër, fenomeni është me të njëjtat ngjyra: një vocërrak në semafor që  lyp qindin dhe më tej, aty te blloku,  një tjetër që ta thyen kokën me miliardin Çtë jetë kjo histori në një sistem kaq modern si demokracia? Mos ndoshta jemi në planetin e skllevërve, ku këta të fundit nuk janë të regjistruar zyrtarisht por në fakt ekzistojnë nëpër rrugët e Tiranës? Apo mos jemi në një tjetër botë ku disa  zotërojnë të drejtën të banojnë nën e disa ende nuk dinë nëse munden mbi? Ku na shpie e shkreta mushkë në shoqërinë tonë, ku në këtë të fundit, diferenca klasore, tashmë, është bërë një garë e lejueshme? Kjo garë që të jep përshtypjen e një sistemi totalitar. Ku dikush shijon  kavialin dhe disa të tjerë  as bukën, ku dikush përfill gjithë dëngla
X5-sën e disa  as biçikletën, ku dikush ka 10, 20 a një mijë punëtorë e disa të tjerë skanë  mundësi të përfitojnë të qënurin të tillë???!!! Çtë jetë një shoqëri e tillë kapitaliste në të cilën dallimi klasor kalon shifra marramendëse? Mos vallë disa gëzojnë të drejtën të jetojnë e disa të tjerë të vëzhgojnë si në të vërtetë jetohet? Ja pra, ky është dallimi skandaloz i një shoqërie pa klasa të pasura e të varfra, por me klasa super të pasura dhe super të paqena Është e vërtetë që nuk po kërkoj në këtë shkrim as të drejtën, por as ekuilibrin ekonomik, si rrjedhim, dallimin klasor të paimagjinueshëm në një shoqëri të mbrapshtë si kjo e jona. Ajo që po përpiqem të zbuloj është fakti që shqiptarët edhe pse në varfëri të tejskajshme ende vazhdojnë të bëjnë sikur ska ndodhur asgjë dhe ende votbesojnë të njëjtët shfrytëzues.Vërtet, kjo tolerancë lidhet edhe me fisnikërinë e shqiptarëve, por kur toleranca zgjatet kaq shumë, është e lidhur veçse me budallallëkun ose më mirë me thënë me mazokizmin shqiptarak. Cila është e drejtë e cila jo në këtë shkrepje ? Të gjithë Ne pyesim veten shpesh here: ku qëndron sekreti që ata(të politikës) kanë dhe ne jo, që ata jetojnë ndërsa ne mbijetojmë? Ndërsa dilema ime nuk lidhet drejtpërdrejt me këtë pyetje, por çuditërisht me një tjetër kuriozitet të radhës
Po të rikthehemi në kohë, të themi në vitet 1990, statistikisht na rezulton se 90% e popullsisë ishte në këtë nivel jetese që është edhe sot. Pjesa tjetër 10% përfaqësohej nga ata (ish politikan e aktualisht, sërish, politikan) të bllokut, pra të privilegjuarit e sistemit ngërç. Sot, pas afro 18 vjet pluralizëm e treg të lirë, fatkeqësisht konstatojmë se janë 10% e popullsisë (përfshi këtu politikan, bashkëshort të tyre, farë e fis që i ndjek e miqësi që i shoqëron step bay step) që jetojnë në përralla dhe si dhe atëherë 90% në mjerim total. Vlerësuar nga ana sasiore, rezulton se si ai sistemi i shkuar, edhe ky demokratik paskan të njëjtat përqindje në lidhje me dallimin klasor. Çka më shqetëson ose, për ta çdramatizuar situatën, më bën kureshtar, është ana cilësore e situatës. Kjo anë lidhet ngushtësisht me pyetjen legjitime se cilët janë ata që përfaqësojnë këtë 10%-ësh? Dyshimi im është te origjina e kësaj pakice super të pasur. Frika ime është në dilemën: po sikur të ngjasë që ai 10% të përfaqësohet  nga të njëjtët aktorë, nga të njëjtët personazhe, por me maskë demokratike? Po sikur ata të jenë të njëjtët e dikurshëm, atëherë çduhet të mendojmë? Le tu kthehemi numrave, analizës, fakteve, madje edhe opinionit qytetar Vetëm në zonën industriale të Tiranës (rruga Vorë-Tiranë), ekzistojnë miliarda dollarë të betonuara nën emra të mëdhenj të familjeve të mëdha të sistemit të kaluar komunist. Cilët janë? Mjafton të udhëtosh me taksixhiuan më të lodhur të Tiranës, dhe prej tij do të marrësh të dhëna të hollësishme e të habitshme mbi pronësinë e njërës a tjetrës industri që shtrihet përgjatë superstradës për në hyrje të Tiranës. Ku janë gjendur gjithë këto lekë??? Ky është objekt i x deputeti, i biri i filanit a nipi i ish-anëtarit të Komitetit Qendror, kjo është fabrika e nipit të atij që ishte atëherë dikushi, ky është konshencionari i asaj që punoi për atë që udhëhoqi për kaq vjetetj.
Po masa njerëzore, populli i thjeshtë, pra qytetarët a e kanë bërë ndonjëherë këtë llogari?
A e dinë ata se edhe sot, pas afro 18 vjetësh demokraci a pluralizëm i thënçin, kush janë ata që defakto e dejuro komandojnë ekonominë tonë të brishtë e si pasoj politikën shqiptare? Pra, a e dinë shqiptarët që si atëherë edhe më pas, por edhe sot çifligarët e çifligjeve më të mëdha e më të rëndësishme në vend janë po të njëjtët personazhe veçse me maskë tjetër? Të jetë naivitet masiv a shprehje e hapur e mazokizmit tradicional të shqiptarëve, fakti që masa e gjerë edhe unë bashkë me ta, të rivotojmë sërish e sërish të njëjtat fytyra politike që faktikisht, nuk janë as më pak e as më tepër se sinonimi i monopoleve ekonomike në vendin tonë... ???  Pra, në qoftë se gjithë këtë situatë tashmë të krijuar do ta përkthenim nga një imagjinatë filmike a historike, unë do ta krahasoja me një amfiteatër betejash gladiatoreske ku nga njëri kah qëndrojë ata të pushtetit politiko-ekonomik dhe nga tjetra Ne të hicmosgjësë së mazokizmit tradicional... e si reklamë do ti bashkëngjisja skenat e jetës reale...

Last Updated on Friday, 08 May 2009 12:37

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›