Kali i drunjtë i kartave të identitetit
Partia Socialiste po përpiqet të mbajë pezull debatin politik për qeverisjen e ardhshme, duke e zëvendësuar atë me një debat tjetër, tërësisht të njëanshëm, debatin për cilësinë e procesit zgjedhor ose më drejtpërdrejt, debatin për kartat e identitetit. Arsyeja se pse po përdor ose përpiqet të përdorë këtë strategji Edi Rama dhe PS, është edhe elektorale, por edhe obstruktive.
Nëpërmjet zëvendësimit të debatit politik dhe përballjes së alternativave qeverisëse, ai arrin të shmangë të gjitha ato dobësi që reflektohen zakonisht në një program qeverisës elektoral të një opozite, e cila ka pasur njëfarë distance me menaxhimin e shtetit dhe për më tepër që ai program, pra i PS-së, është përgatitur nga disa ekspertë që nuk kanë përvojë të gjatë pune në administratën shtetërore, ose nuk e kanë fare një përvojë të tillë. Duke e zhvendosur këtë debat, atje, tek cilësia e procesit, PS luan në një fushë ku ka shumë më tepër mundësi të fitojë opozita, pasi në debate të tilla, mbështetja shkon tek i diskriminuari, edhe pse ndërkohë opozita fashitet në debatin tjetër për të cilin edhe e kërkon pushtetin, qeverisjen.
Por zhvendosja e debatit nga alternativat qeverisëse do të dështonte, nëse nuk do të përfshihej edhe një skemë obstruksioni.
Prej disa ditësh, kryetari socialist dhe stafi i tij kanë deklaruar se mund të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj zgjedhjeve, pa saktësuar se cili do të jetë ky qëndrim, nëse çështja e kartave të identitetit do të kthehet në një problem dhe nëse qytetarët nuk do arrijnë të pajisen me karta.
Atëherë qëndrimi tjetër i PS-së për zgjedhjet mund të ketë këtë pamje: PS kërkon shtyrjen e zgjedhjeve. Nëpërmjet kësaj kërkese, ata kërkojnë të ulin kredibilitetin politik të PD-së dhe më tej të zvogëlojnë numrin e votave që mund të marrë kjo parti, për shkak se nuk përgatit dot zgjedhje të lira. Edi Rama e ka skemën gati për këtë rast si përvojë të vitit 2007, kur u shtynë zgjedhjet për certifikatat, duke e shitur në publik dhe te ndërkombëtarët si një problem të madh që ndikonte në cilësinë e zgjedhjeve. Varianti tjetër do të jetë: PS bojkoton zgjedhjet duke vënë në vështirësi të madhe mazhorancën. Por në kushtet e braktisjes së votimit prej PS-së, parti të tjera të majta dhe koalicione të majta mund të mos ndjekin të njëjtën rrugë, ato futen në zgjedhje. Ky variant është më i avancuari, por ndërkohë vështirë të jetë marrë në konsideratë. Variant tjetër të ndryshimit të strategjisë së PS-së në raport me zgjedhjet nuk ka. Ku e mbështet PS ndryshimin e mundshëm të strategjisë së saj? Tërësisht dhe askund përveç tek intensiteti dhe masiviteti i pajisjes me karta identiteti të qytetarëve. Kush e mat ndikimin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti tek votimi dhe kush mund të masë më tej prirjen politike të atyre qytetarëve që nuk kanë pajisur me karta? Nëse numri i qytetarëve të pajisur me karta identiteti e kalon sadopak përqindjen e pjesëmarrjes në votime të qytetarëve shqiptarë, atëherë mund të themi se të gjithë ata që kanë ndërmend të votojnë, e kanë marrë kartën. Pjesëmarrja në votime vitet e fundit ka qenë deri në masën 55 për qind. Nëse votuesit pa pasaportë pajisen me karta identiteti në këtë përqindje, atëherë kushdo mund të mendojë se janë pikërisht ata që do shkojnë në votime, edhe ata që kanë marrë kartën. Pjesa tjetër që nuk do të votojë, nuk është ngutur për të marrë kartën, mund ta marrë më vonë dhe nuk e ka të kondicionuar marrjen e kartës. Ka mes tyre që nuk duan ta marrin asnjëherë për shumë arsye, bile edhe për shkak se në të shënohen gjurmët e gishtave. Të gjitha të dhënat teknike tregojnë se pajisja me karta identiteti e votuesve të mundshëm pa pasaportë ka kaluar përqindjen e pjesëmarrjes në votime që në ditën që po flasim.
Pra, cilësia e procesit të votimit për shkak të pjesëmarrjes është e garantuar, po aq sa edhe bie alibia e parë e socialistëve. Kjo është vetmja matje që mund të bëjnë edhe socialistët, edhe demokratët, edhe të tjerët.
Alibia tjetër që ka të bëjë me prirjen politike të atyre që nuk kanë marrë kartën, apo mund të mos pajisen me kartë identiteti, është e pamatshme, jo për shkak se nuk ka indikatorë, por për shkak se një tregues i tillë nuk mund të matet nga askush, për sa kohë nuk ka barriera administrative për të cilësuar politikisht aplikuesit për karta dhe për sa kohë e drejta e pajisjes me karta është e njëjtë për të gjithë llojet e votuesve.
Pra, të dyja alibitë përmes të cilave kalon strategjia e PS-së për të dëmtuar procesin zgjedhor, janë lehtësisht të sfumueshme dhe po aq të neutralizueshme prej zbatimit të rregullave dhe ritmit të aplikimit prej administratës.