E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët e hapura

Përkundër reshjeve të borës, të gjitha rrugët dhe magjistralet në vend janë të kalueshme. Sipas policisë, vetëm në vende malore dhe në disa pika kufitare ka vështirësi të dukshme qarkullimi. Instituti Hidrometeorologjik konfirmon se mot i tillë do të jetë deri në fund të javës Nga Lirita Halili më 24 shkurt 2011 në ora 11:23

Përveç se u kthye i ftohti, që nga mëngjesi i së martës, në pothuajse të gjithë Kosovën u kthye edhe bora, e cila vazhdoi edhe gjatë gjithë ditës së mërkurë.

Përveç atyre që menduan se dimri i ftohtë me borë përfundoi, ata që u zunë më pak të përgatitur ishin ngasësit e makinave. Megjithatë, për rrugët u kujdes njësiti i pastrimit të rrugëve. Ata qysh në orët e hershme të mëngjesit, pastruan të gjitha rrugët e kryeqytetit. Të vetmet vende që kishin probleme për shkak të borës ishin disa magjistrale të Kosovës, si dhe vendet malore.

Agron Borovci, zëdhënës i policisë për rajonin e Prishtinës, thotë se të gjitha rrugët e kryeqytetit janë të kalueshme. “Bora ka qenë e butë, prandaj nuk ka pas asnjë problem sa i përket komunikacionit. Prandaj, ne nuk kemi marrë asnjë raport ku thuhet se ka pasur ndonjë aksident si pasojë e borës”, tregon Borovci për Express. Përveç kësaj, ai thotë se kompania e cila përkujdeset për pastrimin e rrugëve, është kujdesur që rrugët të jenë të pastra.

Por përkundër qyteteve, janë pjesët rurale ato të cilat mbeten më problematike gjatë kohës kur ka të reshura të borës. Sipas Brahim Sadriut, zëdhënës i Policisë së Kosovës, pikat kufitare dhe vendet malore mbesin pjesët ku ka vështirësi kalimi.

“Vështirësi kanë pikëkalimet kufitare, të cilat ndodhen në viset malore, pikëkalimi kufitar në Glloboqicë dhe ai në Mutivodë. Si rrugë më problematike është edhe rruga për Kullë”, pohon Sadriu, sipas të cilit, kjo dukuri është e natyrshme, sepse sipas tij, terreni bën që kur ka reshje të borës, rrugët të jenë të bllokuara. “Megjithatë, edhe në ato rrugë, përveçqë ka vështirësi të dukshme, ato janë të kalueshme”, tregon ai.

E, njëjtë sikurse zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës Agron Borovci, edhe Brahim Sadriu, sikurse thotë, ka marrë informata që të gjitha kompanitë që kujdesen për pastrim, nëpër të gjitha pjesët e Kosovës, kanë dalë qysh në orët e hershme të mëngjesit për të bërë pastrimin e rrugëve.

“Kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve po bëjnë maksimumin e tyre për një qarkullim të lirë të veturave”, vlerëson Sadriu. Ai thotë se policia është duke drejtuar komunikacionin aty ku është e nevojshme. “Ndërkaq, sa i përket gjendjes së rrugëve magjistrale brenda territorit të Kosovës, mund të konfirmoj se të gjitha rrugët janë të kalueshme”, thotë i bindur zëdhënësi Sadriu.

Sipas tij, gjatë këtyre dy ditëve, kur edhe ka filluar bora, janë shënuar edhe disa aksidente në trafik. “Gjatë ditës së martë dhe të mërkurë janë shënuar më shumë se 10 aksidente vetëm në trafik. Megjithatë, nuk mund të themi se ato kanë ndodhur për shkak të reshurave të borës. Përkundrazi, kur ka borë, ngasësit janë më të kujdesshëm, numri i aksidenteve ulet”, sqaron Brahim Sadriu.

Sidoqoftë, bora dhe i ftohti nuk do të përfundojnë me këto dy ditë të javës. Të dhënat nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thonë se mot i tillë do të jetë deri në fund të javës, më saktësisht edhe 4 ditët e ardhshme.

Shtohen aksidentet
Tetë persona janë lënduar në katër aksidente të ndara trafiku. Në fshatin Bellobrad të Dragashit janë ndeshur dy vetura dhe, si pasojë, është lënduar një person. Në Lumë të Madh të Mitrovicës, në një aksident trafiku, ku e involvuar ka qenë vetura e ngasësi- shtetas i Serbisë. Si pasojë, lëndime trupore kanë marrë ngasësi dhe tre pasagjerët, po ashtu shtetas të Serbisë. Kurse në fshatin Rudare të Zveçanit, si pasojë e një aksidenti janë lënduar dy persona. Në Prishtinë, ndërkaq, derisa po e ngiste veturën e tij, një person ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur në murin e një shtëpie dhe duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme objektit. Po ashtu, është lënduar edhe ai vetë, kurse për shkaqe sigurie tetë persona janë evakuuar nga shtëpia.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›