E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Prefekti i ri, shoku i ngushtë i Shkëlzenit

 

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë shkëmbyer replika në distancë lidhur me emërimin e prefektit të ri të Tiranës. Deputeti socialist Sajmir Tahiri akuzoi Kryeministrin Berisha se vendosi në krye të Prefekturës së Tiranës shokun e djalit të tij.
“Sali Berisha emëroi dje Prefekt të Tiranës shokun e ngushtë të Shkëlzenit dhe Rrahmanit, duke dhënë dëshminë e radhës për pushtetin abuziv dhe financiar, të cilin ai e përdor në mënyrë nepotike, klienteliste dhe korruptive”, tha Tahiri. Sipas tij, vendi i është nënshtruar njerëzve që i shërbejnë familjes kryeministrore. “Shqipëria mbahet peng nga fëmijët dhe familjarët e Kryeministrit, ndërkohë që institucionet publike, ministritë, policia, dogana dhe gjithçka varet nga Kryeministri, janë vënë në shërbim të interesave pasurore të një grushti njerëzish që përveç lidhjes së gjakut i lidhin tashmë dhe interesat klanore për të vjedhur pasuritë e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh deputeti socialist. Tahiri tha se: “pas Gërdecit, ku Shkëlzen Berisha ishte arkitekti kryesor i sipërmarrjes vdekjeprurëse, pas skandaleve të njëpasnjëshme, ku Argita Berisha ka qenë dhe mbetet paradhoma e taksës familjare, Sali Berisha vazhdon praktikat e atij që është peng i pushtetit korruptiv të fëmijëve të tij, duke emëruar prefekt të kryeqytetit një njeri që kontribut të vetëm ka shoqërinë e mirë me Shkëlzenin dhe Rrahmanin”. I menjëhershëm ishte reagimi i selisë blu, përmes zëdhënëses Erla Mëhilli, e cila akuzoi kryetarin socialist Edi Rama se ka frikë nga zbatuesit e ligjit. “Edi Rama ky humbës i madh që ka frikë nga ligji se e dhunon çdo ditë atë, tmerrohet nga emërimi i prefektit të ri të Tiranës, juristi Keltis Kruja, njëri prej drejtuesve kryesorë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike në këto 12 vitet e fundit”, tha Mëhilli. Zëdhënësja e Partisë Demokratike tha se prefekti i sapo ardhur në detyrë do të jetë një administrator konsekuent i territorit të Prefekturës së Tiranës. “Ramën dhe ndonjë tjetër si ai, që e konsiderojnë Tiranën si çiflig të aferave të tyre të pista për të grabitur pronat e qytetarëve, për t’i dhënë dy firmave të veta 70% të lejeve të ndërtimit e që po ndërton edhe qytezën me Delijorgjin, e tmerron çdo ide që synon zbatimin dhe forcimin e ligjit dhe shtetit ligjor në territorin e Prefekturës së Tiranës”, tha zëdhënësja e selisë blu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›