Rrugët e qytetit të Vlorës si në mesjetë, banorët rebelohen kundër kryebashkiakut
Pavarësisht se Vlora njihet si një nga zonat më të frekuentuara nga turistët, për bukuritë e saj përrallore dhe plazhet e mbipopulluara, jo të njëjtën panoramë ofron porsa i takon infrastrukturës.
Ditën e Verës, banorët nuk e kanë shfrytëzuar për të festuar, por për të protestuar ndaj bashkisë. Dhjetëra protestues bllokuan rrugën hyrëse të qytetit për rreth 20 minuta, në shenjë reagimi ndaj asaj që pushteti vendor ka harruar të bëjë, ndërtimin e rrugëve, të cilat prej vitesh ndodhen në një kaos të plotë si pasojë e neglizhencës së kryebashkiakut Shpëtim Gjika, i zënë me drekat dhe darkat e Edvinit. Sigurisht, kryebashkiaku i Vlorës, s’mund të lerë në dëshpërim të thellë në Pezë, adashin e tij Edvin Kristaq Rama dhe të gjithë ia qajnë hallin kur mendojmë se kryesocialisti ka më shumë se kurrë nevojë, për Shpëtimin, Dashin, Fidelin apo edhe Besnikun. “Ne jetojmë në Itali dhe sa herë vijmë gjejmë po të njëjtën infrastrukturë, në mëshirë të fatit. E shikojmë Vlorën shumë të shkatërruar nga rrugët. Bashkia nuk ka asnjë plan të ndërhyrje”, shprehet një nga banorët. “Po ta shikoni më vëmendje ne jemi të mbytur nga uji. Dalim me çizme. Kryetari i bashkisë Shpëtim Gjika, kur na kërkoi votën na tha se do ju largoj nga çizmet, ndërkohë që sot na i ka bërë dhuratë ato. Jemi për t’i bërë apel kryetarit të bashkisë se ky qytet nuk po bëhet për ne miqësor, e jo më për vizitorët që po na vijnë për të parë bregdetin. Kemi rrugë të shkatërruara, kemi ujë të ndotur të përditshëm, një ajër jashtëzakonisht i ndotur dhe një ajër tejet i ndotur”, shprehen të revoltuar banorët e qytetit të Vlorës, duke iu drejtuar të komanduarit të Edvinit, Shpëtim Gjika. Kësisoj, mënyra e vetme për të tërhequr vëmendjen e pushtetarëve vendorë, sipas banorëve është protesta, e cila bllokoi për disa orë hyrjen e qytetit. Gjatë muajve të dimrit, Vlora ka qenë një nga qytetet me problemet më të mëdha për shkak të përmbytjes së shumë rrugëve, në veçanti të lagjes “Lirim”, por edhe të tjerave në brendësi të qytetit.
...